KQZ jep garanci për votimin elektronik, Celibashi: Procesi është 100% i sigurt

Shqipëria

KQZ jep garanci për votimin elektronik, Celibashi: Procesi është 100% i sigurt

Më: 16 prill 2021 Në ora: 15:44
Ilirian Celibashi

Komisioneri Shtetëror Ilirian Celibashi garanton që teknologjia në zgjedhje do të jetë e sigurt dhe do të ndihmojë që procesi të jetë demokratik.

Pas dyshimeve të hedhura nga Presidenti i Republikës për votimin elektronik në njësinë 10, Celibashi kërkon të qetësojë partitë politike dhe qytetarët duke u shprehur se nuk ka vend për manipulim.

“Ajo që mund të them me siguri në lidhje me procesin zgjedhor që do zhvillohet në njësinë 10 ku do votohet nëpërmjet elektronikes, procesi është 100% i sigurt dhe nuk ka shans që edhe dikush tjetër në mënyrë jo institucionale të manipulojë atë proces.”

KQZ po përgatitet ende anën teknike se si votuesit e njësisë 10 do të votojnë elektronikish, por nga drafti paraprak rezulton se do të ketë disa ndryshime nga votimit me fletë.

“Procedurat e votimit janë 100% të sigurta, siguria dhe integriteti i votës është i sigurt dhe rezultati do të reflektojë 100% vullnetin e zgjedhësve. Në tërësi edhe në aspektin organizativ të zhvillimit të zgjedhjeve, ashtu sikurse edhe njësitë e tjera zgjedhore, ofron gjithë procesi i përgatitur siguri të plotë për mos cenim të integritetit të votës.”

8 ditë para zgjedhjeve, KQZ ka bërë edhe testimin gjeneral të 60 pajisjeve, që do të bëjën të mundur identifikimin elektronik, me të dhënat e rreth 500 zgjedhësve të disa QV të përzgjedhura rastësisht. Identifikimi elektronik synon të shmangë manipulimin dhe votimin e shumëfishtë në zgjedhjet e 25 prillit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat