‘Basha kërkon të imitojë Ramën’, Lubonja: Arrestimi i Lefter Kokës, skenar i përgatitur!

Shqipëria

‘Basha kërkon të imitojë Ramën’, Lubonja: Arrestimi i Lefter Kokës, skenar i përgatitur!

Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 17:39
Analisti Fatos Lubonja

Analisti Fatos Lubonja në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ foli për zhvillimet e fundit që kanë përfshirë vendin, ndërsa u ndal edhe tek arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.

Për analistin e gjitha kjo situatë është më afër idesë së skenarëve se sa e një drejtësie të pavarur.

Ndërsa ngre disa pikëpyetje për mënyrën se si u paraqit e gjithë ngjarja, Lubonja më tej shtron pyetjen se kush është regjisori i kësaj historie dhe nëse kjo regji është bërë nga kryeministri Rama bashkë me amerikanët, apo amerikanët janë të pavarur!?

Gjithashtu Lubonja u shpreh se pastrimi i politikës së korruptuar në Shqipëri është thjesht një propagandë.

“Ajo që duan njerëzit të dinë është kjo është një drejtësi e pavarur që vepron apo një drejtësi me skenar të përgatitur ku ndonjëherë skenari të del edhe jashtë parashikimeve. Mendoj që është më afër idesë së skenarëve se sa të një drejtësie të pavarur. Lexova më parë se Prokurori i Elbasanit gënjeu publikisht me historinë  e manipulimit përpara zgjedhjeve. Ky njeri është bërë prokuror i SPAK dhe për mua mjafton që nesër të përdoret nga Rilindja për goditjet e veta. Pra nuk kam besim te SPAK. Thuhet se janë amerikanët që bëjnë presione andej, pastaj janë faktet që ulërasin dhe njerëzit duhet të dinë rreth fakteve…Pra çfarë do të bëjë SPAK!? Di që historia ka filluar para disa kohësh… Pas zërave që dolën se Lefter Koka ishte shpallur non-grata, por më pas u tha se nuk është e vërtetë. Ai shpalli ikjen në mënyrë të çuditshme. Unë ngre pyetjen, nëse ky kryeministri jonë që i di të gjitha këta që shpallen non-grata, ky është në regji bashkë me amerikanët , apo amerikanët janë të pavarur!? Apo është kryeministri regjisori pas kësaj historie? Këtë nuk e dimë akoma. Pra kemi dyshime shumë të mëdha…Të mos harrojmë edhe skemën ku Rama bashkë me Lefterin telefonin Nasip Naçon për të marrë në gjirin e Rilindjes…Tani të gjitha këto të bëjnë të mendosh për një skenar për interesat e veta kush është më i dobëti hiqet qafe dhe të tjerët vazhdojnë lojën”, ka thënë Lubonja.

Mendoni që do të shtrihen këto hetime?

Lubonja: Po filloi të tërhiqet, atëherë nuk ngelet më gjë…Ne e dimë shumë mirë se si janë lidhjet. 17 firma që ka marrë brenda një dite ajo çështja e inceneratorëve nuk mund të kalojë kështu.  Shqipëria është e vogël , por problemi është provat…Unë besoj se nuk do të ketë shtrirje…Projekti që shpresojnë disa se amerikanët kanë marrë pastrimin e Shqipërisë nga politika e korruptuar është një përrallë. Bëhet propagandë, gjendet ndonjë kokë turku sepse të pastrosh Shqipërinë nga ky sistem mua më duket shumë e vështirë. Pra figurativisht shqiptarët kanë vendosur ta zhdukin ndryshe Shqipërinë, duke ikur vetë.

Ndërsa u ndal tek zhvillimet me brendshme në Partinë Demokratike, dhe takimet me ambasadorët, Lubonja tha se takimet janë zhvilluar për t’i dhënë mbështetje.

Lubonja theksoi se kreui i PD-së Lulzim Basha sipas tij , kërkon të imitojë kryeministrin Rama.

Gjithashtu ai shtoi se kjo situatë nuk është rruga e emancipimi dhe se sipas tij, palët duhet të ballafaqohen me argumente dhe në fund fare të vendoset zgjidhja me votë.

“Këta kanë shkuar për t’i dhënë mbështetje morale Bashës, pastaj mund ta gjykojmë nëse është e drejtë apo jo. Problemi është se Basha po ankohet se Rama duke kapur drejtësinë, amerikanët institucionet.  Rama ka krijuar një situatë se kur u duhet bën edhe një Parlament fallco, bëhen ligje dhe ai vazhdon të sundojë. Unë shikoj se Basha kërkon të imitojë Ramën, por në një shkallë më të vogël…Kam kapur institucionet, ligjin dhe unë rri këtu. Mendoj që nuk është kjo rruga e emancipimit, por të ballafaqohen me argumente dhe në fund fare me votë dhe me mbështetje të shqiptarëve. Këta duan ta mbajnë me çdo kusht pushtetin, dhe është më e lehtë të manipulosh pesë ambasadorë se sa të gjithë popullin shqiptar”, u shpreh Lubonja.

Çfarë ndodh në rast se bie gjithë kjo që ka krijuar Basha dhe Berisha merr selinë?

Lubonja: Problemi është të rrish në këmbë apo në gjunjë para Ramës. Përse shkuan ata njerëz tek Berisha? E duan apo e adhurojnë, nuk është e gjitha kjo, një pjesë e mirë është e zemëruar jo se duan Berishën, por sepse shohin një politikë shumë të mbrapshtë që nuk çon askund, pro drejt këtyre tipave autoritarë që duan të qeverisin me forma të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat