Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Roland Bejko ka shpërthyer dje në akuza dhe sulme të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa shprehet se kreu i “Foltores” i ka protestat si një lloj fuqie dhe kjo sipas tij, është skemë e tij për të bërë premtime se do të marrë pushtetin.
Gjatë një prononcimi për mediat dje, Bejko theksoi Berisha e realizoi qëllimin e vet në këtë protestë, pasi e përdori si një ‘truk’ për të marrë disa deputetë të cilët ishin të lëkundur dhe ju bashkuan protestës.
“Nuk ka ndryshuar staturi i Berishës, ka qenë non grata dhe vijon të jetë non grata. Berisha vazhdon të jetë aktor i rëndësishëm politik, autoritar, ka të njëjtin fjalor. Berisha protestën e ka si një lloj fuqie. Është skemë e Berishës dhe me protesta kemi premtuar që të rrëzojmë qeverinë. Pushtetin e morëm kur ndryshuam taktikë dhe strategji dhe jo me protesta. Demokratët janë mësuar me protesta. Kjo nuk ka qenë protestë më e madhe se protesta që ka zhvilluar edhe Basha. PD vijon të jetë e përçarë dhe kjo nuk na bën optimist. Në këtë protestë është larguar aktori i parë politik që ishte Basha. PD ka gjetur pronarin dhe një pjesë që janë në protestë kanë pranuar ta pranojnë Berishën pa kushte, ka tjerë që janë të rebeluar. Mendoj se e realizoi qëllimin e vet Berisha në këtë protestë. Disa deputetë kam vënë re që janë të lëkundur, pasi u ekzaltuan edhe nga pjesëmarrja. Këto deputetë po humbasin identitetin e tyre personal. Berisha e përdori këtë ‘truk’, që i detyroi deputetët të ishin në protestë”, deklaroi Bejko.
Përveç besnikëve të Berishës, si Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Luçiano Boçi, në protestën e Berishës morën pjesë edhe deputetët demokratë që kanë qenë kritikë ndaj tij. Pjesa tjetër e deputetëve, mes tyre edhe Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj apo Gazment Bardhi zgjodhën që ta bojkotojnë këtë protestë. E pranishme ishte edhe Monika Kryemadhi, e cila mbajti fjalim përpara fjalimit përmbyllës të Sali Berishës. Në kohën kur zhvillohej protesta, kryeministri Rama ndodhej në Vlorë për të inauguruar Bypassi-in e Vlorës.