Cilët turistë po i “vjedhim” Greqisë? Mungesa e arsyetimit logjik për turizmin

Shqipëria

Cilët turistë po i “vjedhim” Greqisë? Mungesa e arsyetimit logjik për turizmin

Më: 13 gusht 2022 Në ora: 11:13
Foto ilustrim

Edhe kjo verë e nxehtë shqiptare, me rritjen e temperaturave u shoqërua me rritjen e debateve për turizmin, analizuar nga këndvështrime të ndryshme, qoftë ekonomike, politike, mjedisore dhe madje edhe kulturore. Mbi të gjitha mbizotëruan eksperiencat personale, fatura të publikuara në faqe të mediave sociale, komente më së shumti emocionale për eksperienca turistike të shkuara dëm apo edhe jashtëzakonisht mirë.

Ndonëse mungesa e logjikës është plotësisht e justifikueshme për publikun e gjerë, konsumator i turizmit vendas në mënyrë të përhershme dhe të pashmangshme, është i pajustifikueshme mungesa e racionalitetit nga ana e qeverisë.

Pikërisht kështu, mungesë e arsyetimit logjik. Statistikat zyrtare për gjendjen aktuale të turizmit pritet të publikohen në ditët dhe javët e ardhshme, dhe statistikat e gushtit do të botohen vetëm gjatë muajit tetor të këtij viti. Sidoqoftë, këto statistika do të bazohen në vetëm dy variabla kryesorë: kapacitetin e strukturave akomoduese si dhe lëvizjet e shtetasve (qofshin ata shqiptarë apo të huaj, apo emigrantë shqiptarë me pasaportë të huaj, apo shqiptarë të viseve të tjera shqiptare jashtë kufirit shtetëror të Shqipërisë). Pastaj do të renditen turistët nga Greqia, Italia, Polonia, Anglia, Gjermania, SHBA, Zvicra etj.

Ndërkohë që standartet ndërkombëtare për turizmin rekomandojnë të paktën që nga viti 2008 në metodologjinë e tyre për statistikat e turizmit dhe të dhëna të tjera të kategorizuara në ‘shpenzimet e turizmit’ dhe ‘punësimin’ në këtë sektor. Edhe këtë vit turistik, askush akoma nuk e ka adresuar bisedën, të paktën nga udhërrëfyesit tanë qeveritarë, sesa kompetitiv edhe i qëndrueshëm është turizmi në Shqipëri, duke përfshirë dhe dimensionet ekonomike, sociale dhe mjedisore. Nëse është e vërtetë që po i rrëmbejmë turistë Greqisë, cilët janë karakteristikat e këtyre turistëve që po vijnë në Shqipëri, dhe se cfarë kërkojnë ata, që ne mund tjua ofrojmë më mirë se shteti ynë fqinj.

Askush nuk ka guxuar të bëjë premtime realiste, si për shembull a do ti arrijmë nivelet e vitit 2019, të para pandemisë së Kovid-19, të paktën të atyre variablave që arrijmë të masim? Asnjë nuk bën parashikime dhe as nuk guxon të mbajë përgjegjësi….

Është i cuditshëm fakti, që vetëm me dy variabla të tillë, kaq të gjerë dhe të përgjitshëm, si strukturat akomoduese dhe lëvizjet e shtetasve, mund të prodhohen mijëra kombinime justifikimesh dhe arritjesh pompoze qeveritare për objektiva të cilët as nuk janë deklaruar në fillim të sezonit dhe për rezultate që askush nuk do të mbajë përgjegjësi apo të ketë dëshirë madje të marrë meritat e fitores. Ato thjesht do të publikohen si numra dhe shifra gjigande, dhe do të jetë e vështirë të nxjerrësh ndonjë shpjegim apo analizë logjike, përveç vijës zyrtare të shpjegimit qeveritar.

Ndërkohë që konsumatorëve të turizmit do tju mbetet si gjithmonë shija emocionale e pushimeve që kanë lënë pas. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat