Pas afro 3 orësh fjalime, përplasje, hedhje molotovësh, gazlotsjellës, shoqërime, protestues e efektivë policie të lënduar, është mbyllur zyrtarisht protesta e dytë kombetare e Partisë Demokratike, pas asaj që u mbajt më 22 dhjetor.
“Më thanë që janë keqtrajtuar edhe gazetarët. I kanë helmuar gazetarët. Kanë hedhur gaz kundër gazetarëve. E dënoj këtë akt me forcën më të madhe. Gazetarët kanë qenë neutralë, kanë qenë duke bërë detyrën e tyre të informimit të qytetarëve, por raportimet e tyre kanë tmerruar Ramaduron dhe Surrelin.
Ai është i pashpresë. Rama është një kufomë e pakallur dhe do e hedhim në Lanë siç është. Njëherë u përqafoj ju se po bëni historinë. Absolutisht po bëni historinë. Popull vigan. Po përmbysni diktaturën e dytë në Shqipëri. Shumë faleminderit gazetarëve. Keni bërë punën më të mirë.
Ne jemi shumë të vendosur në këtë betejë. Ai e ka absolutisht të humbur. Ai mendon se me topa dhe gaz lotsjellës dhe këto, por ne kemi pasë tanket përpara dhe u kemi dhënë atë që kanë merituar.
Ju falënderoj për raportimet që keni bërë dhe shpreh keqardhjen se si u soll policia me urdhër të Edi Ramës sepse ai tani është në një degradim moral dhe psikologjik të papërmbajtur. Po fajet i ka vetë, krimet i ka kryer vetë, përgjegjës është vetë.”, tha Berisha në fund të fjalimit të tij përmbyllës.