Ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad vlerësoi reformat që po ndërmerr Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit evropian, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit.
Haddad u shpreh se Shqipëria është ndër vendet kandidate që po shënojnë përparim në hartimin dhe zbatimin e reformave.
“Ka shtete që po përparojnë me shpejtësi, duke hartuar dhe zbatuar reformat, veçanërisht Mali i Zi, por edhe Shqipëria. Kjo është shumë pozitive”, deklaroi ministri francez.
Duke folur për procesin e integrimit, Haddad theksoi se integrimi gradual në politikat e Bashkimit Evropian nuk duhet të shihet si alternativë ndaj anëtarësimit të plotë.
“Ajo që propozojmë ne është që shtetet kandidate të mund të integrohen gradualisht në blloqe të caktuara politikash, si tregu i brendshëm, siguria e përbashkët apo energjia”, tha ai.
Sipas Haddad, kjo qasje do t’u mundësonte vendeve kandidate të merrnin pjesë në diskutimet për politikat evropiane dhe të përfitonin konkretisht nga bashkëpunimi me BE-në, ndërsa vijojnë reformat e nevojshme për anëtarësim.
Ministri francez nënvizoi gjithashtu rëndësinë gjeopolitike të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar kundër krijimit të hapësirave të pambuluara nga integrimi evropian.
“Nuk mund të lëmë zona gri në zemër të kontinentit tonë, të hapura ndaj ndërhyrjeve apo destabilizimit nga fuqi të huaja armiqësore”, theksoi Haddad.
Ai u shpreh se Franca mbështet zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar procesin si ribashkim të familjes evropiane.
“Për mua, bëhet fjalë për ribashkimin e familjes evropiane. Është një domosdoshmëri gjeopolitike, veçanërisht në një kohë kur lufta është rikthyer në kontinentin evropian”, deklaroi ministri francez.
Haddad e cilësoi integrimin e rajonit edhe si një mundësi ekonomike për thellimin e tregut të përbashkët evropian.