Në orët e mbrëmjes ka përfunduar protesta e 175-të e thirrur nga studentët në Tiranë.
Grumbullimi nisi rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit shpalosën banderolën me mesazhin “Ndal plaçkitjes, shtypjes, ikjes”, teksa nuk munguan as aktet simbolike, ku disa prej pjesëmarrësve i vunë flakën fotografisë së kreut të qeverisë të vendosur në kangjellat e Ministrisë.
Protestuesit marshuan në disa rrugë të Tiranë, ndërsa gjatë tubimit u shënuan incidente me djegien e disa kazanëve të mbeturinave.
Policia vendosi kordone në disa rrugë për të kufizuar lëvizjen e turmës, e cila në përfundim u pozicionua pranë Kryeministrisë.
Protestuesit nisën marshimin në Rrugën e Durrësit, ku bllokuan qarkullimin e automjeteve pranë Ministrisë së Arsimit.
Fillimisht u raportua se destinacioni i tyre ishte selia e Partisë Socialiste, por itinerari ndryshoi gjatë zhvillimit të protestës.
Turma vijoi marshimin në Rrugën e Kavajës, ku u përball me një kordon policie. Pas bllokimit nga efektivët, protestuesit u kthyen drejt qendrës së Tiranës, ku gjatë lëvizjes në rrugë u vunë flakën disa kazanëve të mbeturinave.