Përfundon në 'sherr' me thika konflikti në Fier, 17-vjeçari plagos punonjësin e fast-food-it

Shqipëria

Përfundon në 'sherr' me thika konflikti në Fier, 17-vjeçari plagos punonjësin e fast-food-it

Më: 24 nëntor 2026 Në ora: 19:38
Fotoilustrim

Një konflikt i ndodhur pak minuta më parë në qytetin e Fierit ka përfunduar me plagosjen e një punonjësi të një biznesi fast-food, 29 vjeç, i identifikuar si Bexhet Myftari.

Ngjarja është regjistruar në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit. Sipas të dhënave paraprake, punonjësi i fast food-it është thirrur nga persona të tjerë për të sqaruar një konflikt, jashtë ambienteve të biznesit ku ai punonte.

Por ajo që duhej të ishte një sqarim ka përfunduar në përplasje fizike, ku punonjësi është goditur me mjet prerës, thikë nga një 17-vjeçar.

Pas plagosjes, ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia ka dalë me njoftim zyrtar, duke zbuluar edhe detajet e incidentit: “Fier/Plagosi me mjet prerës një 29-vjeçar dhe u largua nga vendngjarja, identifikohet 17-vjeçari dhe vijon puna për kapjen e tij.

Sot, rreth orës 17:20, në lagjen “Konferenca e Pezës”, janë konfliktuar shtetasit B. M., 29 vjeç, dhe G. A., 17 vjeç.

Gjatë konfliktit, shtetasi 17-vjeçar dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) 29-vjeçarin dhe më pas është larguar nga vendngjarja, transmeton TCH.

29-vjeçari është transportuar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat