Bardhi: Afera e Aeroportit të Vlorës të hetohet pa vonesa, SPAK të japë përgjigje për Ramën dhe Ballukun

Shqipëria

Bardhi: Afera e Aeroportit të Vlorës të hetohet pa vonesa, SPAK të japë përgjigje për Ramën dhe Ballukun

Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 17:45
Belinda Balluku- Edi Rama- Gazment Bardhi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, duke ngritur akuza për ndërhyrje politike dhe ndarje paraprake të interesave ekonomike.

Në një deklaratë publike, Bardhi i ka bërë thirrje SPAK-ut të hetojë pa vonesa çështjen dhe të sqarojë rolin e të gjithë personave të përfshirë në vendimmarrjen për koncesionin, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Duke iu referuar deklarimeve të biznesmenit Behgjet Pacolli, Bardhi pretendon se fituesi dhe ndarja e aksioneve të koncesionit janë diskutuar paraprakisht në zyrën e Ballukut, ndërsa gara publike ka shërbyer vetëm si procedurë formale.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, këto pretendime ngrenë dyshime serioze për mënyrën se si është administruar një pasuri strategjike publike dhe kërkojnë verifikim nga organet e drejtësisë.

Bardhi ka ngritur disa pikëpyetje drejtuar SPAK-ut, duke kërkuar të dijë se në çfarë faze ndodhet hetimi, nëse janë verifikuar deklarimet e Pacollit dhe dokumentacioni përkatës, si dhe nëse po hetohet përgjegjësia e të gjithë personave të përfshirë.

Ai ka kërkuar gjithashtu transparencë mbi kohën kur mund të dalin përgjegjësit përpara drejtësisë. Bardhi ka theksuar se pasuritë publike u përkasin qytetarëve shqiptarë dhe jo pushtetit politik apo interesave private, duke kërkuar që hetimi të zhvillohet pa ndikim politik dhe pa standarde të dyfishta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat