Ka shkuar në dy numri i viktimave nga atentati ku u vra Selami Hasani, ngjarje e ndodhur një ditë më parë (23 nëntor) në Fier. Mësohet se ka ndërruar jetë edhe nipi i Selami Hasanit, Jakup Hasani, i cili kishte mbetur i plagosur.
47-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale dhe përpjekjeve të mjekëve në Spitalin Rajonal të Fierit, ku ndodhej në reanimacion.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40, në lagjen “1 Maji”, në zonën e njohur si Kodër, në Fier. Selami Hasani ndodhej duke punuar në oborrin e banesës së tij, kur persona të armatosur iu afruan dhe hapën zjarr me breshëri në drejtim të tij. Nga të shtënat mbeti i plagosur rëndë edhe nipi i tij, Jakup Hasani.
47-vjeçari u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai kishte marrë disa plumba në trup dhe pas operacionit u dërgua në reanimacion, nën kujdesin e mjekëve. Pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Atentati
Sipas hetimeve paraprake, në atentat dyshohet se kanë marrë pjesë disa persona.
Pas sulmit, autorët janë larguar me një automjet, i cili pak minuta më vonë është gjetur i djegur në zonën e Dërmenasit, pranë rrethrrotullimit të Pojanit, në aksin Fier-Vlorë. Brenda makinës, grupi hetimor ka gjetur edhe dy armë zjarri, që dyshohet se janë përdorur në atentat.
Ndërkohë, kamerat e sigurisë kanë fiksuar praninë e automjetit në zonë, por autorët nuk janë identifikuar ende. Në kuadër të hetimeve, tre persona janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.
Kush ishte Selami Hasani dhe e kaluara e tij kriminale
Selami Hasani, i njohur si “Sel Çami” apo “Seli i Malit”, ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ishte dënuar me 25 vite burg për përfshirjen në vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2002 në Fier.
Më 25 mars 2002, në zonën e njohur si “Sheshi i Valutës”, një automjet tip fuoristradë u qëllua me armë zjarri. Nga sulmi mbetën të vrarë Julian Isufaj dhe Esat Tare, ndërsa dy persona të tjerë u plagosën.
Për këtë ngjarje, Selami Hasani u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg. Ai ishte arrestuar në vitin 2009, pas disa vitesh në kërkim. Sipas raportimeve mediatike, Hasani ishte liruar nga burgu në fillim të nëntorit të këtij viti, vetëm pak javë përpara se të ekzekutohej.
Pista kryesore, hakmarrja
Një nga pistat kryesore që po hetohet për atentatin është ajo e hakmarrjes, për shkak të historisë së gjatë të konflikteve mes familjeve Hasani dhe Isufaj.
Përplasjet mes familjeve dyshohet se kanë nisur që në vitin 1994, kur Enver Isufaj, babai i Arben Isufajt, u vra në një bilardo në zonën e Sheqit në Fier. Sipas të dhënave të raportuara për këtë histori, në vrasje u përfshinë persona të lidhur me familjen Hasani.
Vite më vonë, në vitin 2002, vrasja e Julian Isufajt dhe Esat Tares e përshkallëzoi edhe më tej konfliktin. Dënimi i Selami Hasanit për këtë ngjarje dhe lirimi i tij i fundit nga burgu janë elemente që po shqyrtohen në kuadër të hetimeve për atentatin e fundit.