Është ndarë nga jeta këtë të hënë, në moshën 77-vjeçare, Alush Dragoshi, ish-Prokurori i Përgjithshëm, i cili drejtoi institucionin e akuzës gjatë viteve 1992-1997.
Alush Dragoshi ishte një nga figurat e drejtësisë shqiptare të periudhës së tranzicionit, duke mbajtur postin e Prokurorit të Përgjithshëm për rreth pesë vite.
Mbesa Adelina Dragoshi përmes një komunikimi e ka kujtuar me këto fjalë:
“Sot është një nga ato ditë kur fjalët duken të pamjaftueshme për të shprehur dhimbjen. Me zemër të rënduar i jap lamtumirën një njeriu shumë të dashur për mua, xhaxhait ,Alush Dragoshi.
Një zotëri i rrallë, një personalitet me kulturë, urtësi, dinjitet dhe integritet. Një njeri që dallohej jo vetëm për formimin dhe rrugëtimin e tij profesional, por mbi të gjitha për karakterin, fjalën dhe mënyrën se si dinte të fitonte respektin e të tjerëve.
Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbet një njeri të shtrenjtë, ndërsa drejtësia shqiptare humbet një personalitet të saj. Rrugëtimi i tij si jurist dhe prokuror do të mbetet pjesë e kujtesës dhe e kontributit të tij profesional.
Për mua, ai ishte shumë më tepër se një figurë e admiruar. Ishte një udhërrëfyes, një këshillues dhe një idhull. Nga bisedat me të, nga fjalët dhe këshillat e tij, kam marrë mësime që do të më shoqërojnë gjatë gjithë jetës.
Do t’i ruaj si një pasuri të çmuar dhe do të përpiqem t’i ndjek në çdo hap të rrugëtimit tim. Sidomos mësimin se e drejta duhet ndjekur gjithmonë, edhe kur kërkon guxim, durim dhe sakrificë. Se dinjiteti është i panegociueshëm dhe se njeriu duhet të qëndrojë besnik ndaj parimeve të veta.
Është e vështirë të pranosh se nuk do të kesh më mundësinë të dëgjosh zërin, të marrësh një këshillë apo të zhvillosh një bisedë me një njeri që ka pasur kaq shumë rëndësi për ty. Por njerëzit e mëdhenj nuk largohen plotësisht. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtimet, në vlerat që kanë përcjellë dhe në njerëzit që kanë frymëzuar.
Do të përpiqem ta nderoj emrin tënd me jetën time, me qëndrimet e mia dhe me besnikërinë ndaj së drejtës.
Disa njerëz lënë pas një emër. Të tjerë lënë pas një trashëgimi vlerash. Ti do të mbetesh për mua të dyja.
Me dashuri, respekt dhe mirënjohje të përjetshme.
U prehsh në paqe, Alush Dragoshi”.