Rama: Prokurimi i Përqendruar, më shumë transparencë, ulje e kostove dhe eliminim i burokracive

Shqipëria

Rama: Prokurimi i Përqendruar, më shumë transparencë, ulje e kostove dhe eliminim i burokracive

Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 21:50
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se modeli i ri i Prokurimit të Përqendruar garanton më shumë siguri e transparencë, më pak barrë ekonomike dhe eliminim të burokracive për institucionet dhe sipërmarrjen.

Rama ishte sot i pranishëm në prezantimin e modelit të ri Prokurimeve të Përqendruara, i cili do të shërbejë si mekanizëm në dispozicion të dikastereve qendrore për të planifikuar dhe realizuar në kohë Prokurimet Publike.

Kryeministri vlerësoi se ky është një transformim shumë i rëndësishëm në aspektin e funksionimit tërësor të strukturës së Prokurimeve Publike, lidhur me eficiencën.

“Në dispozicion të këtij qëllimi vendoset një strukturë e specializuar e cila po integrohet në sistemin europian të prokurimeve dhe nga ana tjetër po merr ekspertizë të nivelit të lartë nga institucione të ngjashme duke filluar nga UNOPS, struktura e prokurimeve të SHBA-së që asiston Operatorin e Blerjeve të Përqendruara”, shtoi Rama.

Në këtë drejtim, kryeministri shprehu bindjen se Prokurimi Publik do të jetë një proces model, ndërsa sipërmarrja vendase dhe e huaj do të ketë shumë më tepër qartësi, shpejtësi dhe transparencë absolute.

Ai theksoi se ky model do të kombinojë arkitekturën ligjore europiane, centralizimin strategjik përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara të sistemit të prokurimeve dhe inteligjencën artificiale në analizën e riskut dhe në gjithë hartimin e dokumentacionit dhe  jetësimin e procedurës.

“Sot ne jemi gati të nisim punën për ndërtimin e sistemit të ri të prokurimit elektronik që është një sistem unik jo vetëm në Shqipëri, por shumë më gjerë se kaq, ku inteligjenca artificiale do të flasë praktikisht gjuhën e çdo grupi interesi që e ka të lidhur aktivitetin e tij me aksesin në prokurimet publike të Republikës së Shqipërisë”, vijoi Kreu i Ekzekutivit.

Rma vuri në dukje se për sipërmarrjen vendase apo të huaj do të ketë shumë më tepër për qartësi, shpejtësi,  transparencë absolute dhe ulje të konsiderueshme të kostove dhe eliminim masiv të burokracisë.

“Asnjë biznes nuk do detyrohet më të mbledhë letra lart e poshtë për të pasur mundësinë të dorëzojë një ofertë për një prokurim publik, pasi gjithçka që lidhet me informacionin mbi një biznes apo një tjetër, do të kalojë nga Diella, nga një dosje virtuale e çdo biznesi, ku mbi 40 regjistra publikë do të jenë aty për t’u hapur me një klik të vetëm dhe për të bërë të gjithë punën që sot biznesi e bën duke angazhuar njerëz dhe duke konsumuar kohë, duke ndeshur pengesa të natyrave të ndryshme”, deklaroi Kryeministri.

Nga ana tjetër, vijoi Rama ky do të jetë një revolucion i mirëfilltë edhe në aspektin e problematikave për hartimin e specifikimeve teknike, për përllogaritjen e fondeve limite, për teknikën e shqyrtimit të ofertave dhe të vlerësimit të tyre, pasi të gjitha këto do të jenë nën mbikëqyrjen e Diellës.

Rama nënvizoi se Diella po përgatitet që të ofrojë zgjidhje me algoritme inteligjente për të gjitha hallkat e këtij procesi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat