Veçoria e re e Twitterit

Teknologji

Veçoria e re e Twitterit

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 17:52
Twitter

Rrjeti i madh social, Twitter, ka ndarë tri koncepte për dizajnin e veçorive të reja të cilat është duke i menduar për shërbimin e vet. “Trusted Friends” (Miqtë e besueshëm) do t’ua limitonte përdoruesve audiencën për postime të caktuara në një rreth më të ngushtë miqsh, përderisa “Facets” do t’ua mundësonte përdoruesve kategorizimin e postimeve që dëshirojnë t’i shpërndajnë vetëm me “miqtë e besueshëm”. Në fund, rrjeti social po konsideron po ashtu edhe që përdoruesve t’ua mundësojë listimin e frazave të caktuara që s’kanë dëshirë t’i shohin në përgjigjet e tyre.

Këto ide janë vetëm në fazat fillestare, ka thënë Twitteri, dhe asnjëra s’është duke u zhvilluar aktualisht.

Shumë përdorues të Twitterit kanë llogari të shumta duke ndarë jetën personale me atë të punës, me njërën që nuk shpërndan postime personale. Megjithatë me veçoritë e reja përdoruesve do t’u lehtësohet përdorimi i vetëm një llogarie për të gjitha.

“Trusted Friends” është e ngjashme me veçorinë e Instagramit “Close Friends” duke ua mundësuar përdoruesve të bëjnë postime publike për të gjithë apo të ndarë për audiencën e caktuar të “miqve të besueshëm”.

Sipas Twitterit, përmes “Facets” njerëzit do të mund të zgjedhin ndjekjen e dikujt vetëm për postime të një teme të caktuar, e më pas mund ta ndjekin llogarinë si të plotë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat