​Projektuesi i Iphone për partneritetin me OpenAI: Njerëzimi meriton më mirë

Teknologji

​Projektuesi i Iphone për partneritetin me OpenAI: Njerëzimi meriton më mirë

Më: 2 qershor 2025 Në ora: 18:00
Foto ilustrim

Projektuesi i iPhone-it ka premtuar se pajisja e tij e re, e pajisur me inteligjencë artificiale, do të udhëhiqet nga ndjenja se “njerëzimi meriton më mirë”, pasi pranoi se ndien “përgjegjësi” për disa nga pasojat negative të teknologjisë moderne.

Sipas The Guardian, Sir Jony Ive tha se partneriteti i tij i ri me OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT-së, do ta rigjallërojë optimizmin e tij për teknologjinë, në një kohë me shqetësime të mëdha për ndikimin e telefonave të mençur dhe rrjeteve sociale.

Në një intervistë për Financial Times, Ive, i lindur në Londër, nuk dha detaje për pajisjen që po zhvillon me OpenAI-në, por shprehu shqetësim për marrëdhënien e njerëzve me disa produkte teknologjike.

“Shumë prej nesh do të thonin se kemi një marrëdhënie të trazuar me teknologjinë për momentin”, tha ai. Shtoi se dizajni i pajisjes do të udhëhiqet nga “ndjenja se ‘ne meritojmë më mirë. Njerëzimi meriton më mirë’.” Megjithatë, Ive, ish-drejtori kryesor i dizajnit në Apple, tha se ndien barrën e ndikimit negativ të produkteve moderne teknologjike. “Edhe pse disa nga pasojat më pak pozitive ishin të paqëllimshme, unë gjithsesi ndiej përgjegjësi. Dhe shfaqja e kësaj është vendosmëria për të qenë i dobishëm”.

Ai shtoi: “Nëse krijon diçka të re, nëse inovon, do të ketë pasoja të paparashikuara – disa do të jenë të mrekullueshme dhe disa të dëmshme”.

Muajin e kaluar, Ive shiti startup-in e tij të harduerit, LoveFrom, te OpenAI për një marrëveshje prej 6.4 miliardë dollarësh dhe do të marrë udhëheqjen kreative dhe të dizajnit në të dyja bizneset e bashkuara.

Në një video që shpalli marrëveshjen, drejtori ekzekutiv i OpenAI-t, Sam Altman, e përshkroi një prototip të zhvilluar nga Ive si “pajisja më e mrekullueshme teknologjike që bota ka parë ndonjëherë”.

Analisti i Apple-it, Ming-Chi Kuo, ka pohuar se pajisja do të jetë pa ekran, mund të vishet rreth qafës dhe do të jetë po aq “kompakte dhe elegante sa një iPod Shuffle”. Fillimi i prodhimit në masë pritet të nisë në vitin 2027.

The Wall Street Journal raportoi se pajisja do të jetë plotësisht e vetëdijshme për rrethinën dhe jetën e përdoruesit. Ajo u përshkrua si pajisja e tretë thelbësore për një përdorues, pas një MacBook Pro dhe një iPhone-i.

Ive, i cili iu bashkua Apple-it në vitin 1992, tha se partneriteti me OpenAI e kishte bërë sërish optimist për aftësitë e teknologjisë – diçka që ndjente se Silicon Valley e kishte humbur.

“Kur u shpërngula për herë të parë këtu, erdha sepse vendi karakterizohej nga njerëz që sinqerisht e shihnin qëllimin e tyre si shërbim ndaj njerëzimit, për të frymëzuar njerëzit dhe për t’i ndihmuar të krijojnë. Nuk ndihem më ashtu për këtë vend tani”, tha ai.

Ive u intervistua së bashku me Laurene Powell Jobs, të venë e bashkëthemeluesit të Apple-it, Steve Jobs, e cila po ashtu pranoi se ka “përdorime të errëta për disa lloje të teknologjisë”.

Ajo shtoi: “Mjafton të shohësh studimet që po bëhen për vajzat adoleshente dhe për ankthin tek të rinjtë, dhe rritjen e nevojave për shëndet mendor, për të kuptuar se kemi devijuar. Sigurisht, teknologjia nuk është krijuar për të pasur këtë rezultat. Por ky është rezultati anësor”.

Powell Jobs – kompania e së cilës, Emerson Collective, është investitore në biznesin LoveFrom të Ive-it – nuk pranoi të komentojë nëse pajisja e re e OpenAI-t do të konkurojë produktet e Apple-it.

“Unë jam ende shumë e lidhur me ekipin drejtues të Apple-it”, tha ajo. “Janë njerëz vërtet të mirë dhe dua që edhe ata të kenë sukses”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat