Ibrahimi: Do të punojmë që ta kemi primatin në fillim të kampionatit! 

Volejboll

Ibrahimi: Do të punojmë që ta kemi primatin në fillim të kampionatit! 

Nga: Kemajl Goca Më: 18 gusht 2019 Në ora: 14:39
Ibrahimi: Do të punojmë që ta kemi primatin në fillim të kampionatit! 

Për dallim nga edicionet paraprake edicioni i ri pritet të jetë shumë me rivalizues, ku do ta kemi edhe derbin e madh të volejbollit mes skuadrave të një qytetit, Ferizajt dhe kampionit Luboteni!  Ferizaj është përforcuar me një numër të madh të lojtarëve dhe pretendon të luftojë për kreun e tabelës. Ferizaj me kryetrajnerin Arlind Ibrahimi, që nuk ka më shumë se 26 vjeç (është trajneri më i ri që mbahet mend në elitë) është shumë ambicioz dhe shumëkujt do t’ia prishin planet! 

“Bota sot”: Ferizaj në Superligë, me një numër të madh të lojtarëve është përforcuar, a e synoni titullin dhe Kupën?
Arlind Ibrahimi:
Është e vërtet që kemi transferuar disa lojtarë nga kampionati vendor dhe mendoj që kemi krijuar një skuadër mjaft kompakte! Sa i përket synimeve, nuk mund ta fshehim se po synojmë tituj në këtë edicion, mirëpo kjo është ende herët të flitet, pasi që siç dihet sapo është hapur afati kalimtar, ku mendoj se kemi një skuadër të kompletuar, megjithatë nuk i dihet!

“Bota sot”: Cilët janë lojtarët që keni sjellë deri me tash në mjedisin tuaj dhe a mendoni se do të jeni prej ekipeve më të forta në elitë?
Arlind Ibrahimi:
Driton Bytyqi, Armend Berisha, Durim Rexhepi, Armend Berisha, Art Terstena janë emrat që janë bashkuar me ne gjate këtij afati kalimtar, mirëpo nuk duhet të harrojmë që kemi ruajtur edhe bazën e ekipit nga sezoni i kaluar me lojtar si Izjadin Azemi, Butrint Bytyqi, Ridvan Grainca e Butrint Ilazi, gjë që rrit konkurrencën brenda skuadrës dhe kjo patjetër do të sjell edhe një nivel më të mirë të skuadrës. Kemi lojtarë më shumë përvojë në skuadër që padyshim janë garanci për ne se do të jemi ndër skuadrat më të mira në elitë!

“Bota sot”: A mendoni se elita do të jetë edhe më e fortë se viteve tjera?
Arlind Ibrahimi:
Padyshim pres një kampionat më të fortë dhe me më shumë skuadra kompetitive. Me sa kam dëgjuar janë edhe disa skuadra tjera që po punojnë mjaft mirë në transferime dhe kjo pa dyshim do ta ngris cilësinë e Superligës. Mendoj që faktori kyq është miratimi i ligjit për sport që ka lehtësuar dukshëm afrimin e sponsorëve nëpër ekipe të ndryshme.

“Bota sot”: Në moshë shumë të re si kryetrajner dhe për herë të parë në elitë, a e keni presionin apo frikën e papërvojës tuaj?
Arlind Ibrahimi:
Jo, nuk ndjej as presion e aq me pak frikë, mendoj që jam i gatshëm për këtë sfidë dhe do ta përballoj pa problem, pasi që e di që kam përkrahjen e plot të kryesisë si dhe kam në skuadër  lojtarë që e kanë dëshmuar veten deri me sot në volejbollin kosovar, gjë që do të më lehtësoj punën.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë Ferizajt?
Arlind Ibrahimi:
Ferizajt i duhet përkrahje më e madhe nga publiku vendas, si dhe duhet të vazhdoj rrugën që ka nisur sepse me të vërtetë deri në këto momente që po flasim kemi të bëjmë me një ekip shumë mirë të organizuar ku secili po e kryen më shumë përgjegjësi punën e tij, dhe gjëja që duhet të punohet më shumë në at drejtim është pa dyshim puna me gjeneratat e reja, jo se ka munguar ndonjëherë puna me të rinjtë në këtë klub por kushtet ekonomike bënë që shumë lojtarë të ri pas hapave të tyre të parë të kalojnë në ekipet tjera dhe ne do të punojmë ta ndryshojmë këtë fakt.

“Bota sot”: A do të kemi derbin më të madh vendorë, Ferizaj-Luboteni dhe a pretendoni t'ia merrni primatin?
Arlind Ibrahimi:
Besoj që po, këtë sezon do të kemi një derbi të vërtet në Superligën e meshkujve, normal që pretendojmë dhe do të punojmë që ta kemi primatin që në fillim të kampionatit por kuptohet e gjitha në kontekstin e mirëfilltë sportiv. Kam respekt për çdo skuadër dhe për çdo lojtar pa marrë parasysh se nga cili qytet apo skuadër vjen. Mendoj se vetëm në këtë frymë mund ta avancojmë dhe masivizojmë sportin e volejbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat