Kadriu: Skenderajt i duhet një palestër

Volejboll

Kadriu: Skenderajt i duhet një palestër

Nga: Kemajl Goca Më: 24 tetor 2018 Në ora: 18:07
KV Skenderaj

Skenderaj pretendon të gjitha trofetë në volejbollin e Kosovës në konkurrencën e femrave. Vashat e Skenderajt shënuan tri fitore në tri javët e para dhe me bindje se do të vazhdojnë kësisoj edhe në javët e ardhshme. Kryetrajneri i Skenderajt, Ylli Kadriu, shprehet se janë të kompletuar, por e vetmja mungesë është palestra sportive në Skenderaj. 

 “Bota sot”: A është Skenderaj më i fortë se në vitin e kaluar dhe çka e dallon më shumë?

Ylli Kadriu:  Mendoj që Skenderaj është ekip më i pjekur se vitin e kaluar, gjithashtu këtë vit kemi mundësi të promovojmë lojtare të reja, të cilat nuk kishin shumë hapësira viteve të kaluara. Ajo se çka na veçon këtë vit është se nuk kemi mungesa në asnjë repart. Madje kemi së paku dy lojtare për një pozicion të cilat po luftojnë fort për një vend titullar.

“Bota sot”: Përveç Dritës cilat skuadra tjera i sheh konkurrente për titull?

Ylli Kadriu: Mendoj që edhe këtë vit rivaliteti do të jetë i njëjtë si vitin e kaluar, ku Drita, Kastrioti, Prishtina dhe Skenderaj do ta kenë fjalën kryesore në këtë kampionat.

“Bota sot”: Çfarë e veçon edicionin e ri?

Ylli Kadriu: Në këtë edicion kemi numër më të madh të ndeshjeve sepse është rritur liga dhe tani kemi 10 skuadra. Ndoshta cilësia nuk është në nivel te disa ekipe,  por të paktën kjo na shërben që t’ju japim hapësirë vajzave të reja të cilat kanë me pak hapësira në ndeshje të forta. Në këtë mënyrë rritet motivi i tyre për stërvitje.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet dhe fondin e lojtareve?

Ylli Kadriu: Sa i përket fondit të lojtareve jam shumë i kënaqur sepse kam një konkurrencë të mirë në skuadër, edhe pse ekipi është shumë e re dhe vetëm dy vajza janë mbi moshën 20-vjeçare, pjesa tjetër janë 19 e më të vogla. Megjithatë kemi ekip perspektivë. Ndërsa kushtet e punës i kemi shumë të dobëta, sepse akoma kemi problemin e palestrës, ndërsa në sallën ku stërvitim nuk ka kushte as 30% për një stërvitje normale. Ndërsa te kushtet financiare nuk jemi keq duke falënderuar donatorët. ‘Grunori’, ‘Qta’ dhe ‘Drena’, ku fal tyre jemi ekip i kompletuar. Por presim mbështetje nga Komuna ku tash e një vit nuk kemi marr as 1 euro nga ta, edhe pse jemi ekip më e mirë në Skenderaj tash e sa vite.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë Skenderajt?

Ylli Kadriu: Skenderajt i duhet një palestër dhe njerëz të vullnetit të mirë, për të pasur me shumë hapësira për kategoritë e reja. Ndërsa për sezonin e dytë i duhet një lojtare me eksperiencë, të cilën kam besim që do ta kemi.

“Bota sot”:  A kemi cilësi më të mirë dhe shikueshmëri më të madhe në përgjithësi?

Ylli Kadriu: Ndoshta është herët të them për cilësi, por aq sa kam pa ka shumë pak lojë të cilat kanë nivel të barabartë dhe kjo mendoj që nuk ndikon në ngritjen e nivelit në Kosovë, unë mendoj që dallimet mes 4 skuadrave të para me pjesën tjetër janë të mëdha dhe interesim dhe shikueshmëri mund të ketë vetëm kur takohen mes vete këto katër ekipet, të cilat tash e sa vite po e mbajnë publikun dhe interesimin e njerëzve për volejboll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat