Bekim Jashari thotë se po mendon të krijojë parti, tregon nëse ka zhvilluar biseda për postin e presidentit

Aktuale

Bekim Jashari thotë se po mendon të krijojë parti, tregon nëse ka zhvilluar biseda për postin e presidentit

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 23:59
Bekim Jashari

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, thotë se vitin e ardhshëm ai do të kërkojë edhe një mandat në krye të kësaj komune. Por nuk dihet nëse do të jetë sërish kandidat i pavarur pasi ai thotë se po mendon krijimin e një subjekti të ri politik.

“Unë do e shpalli kandidaturën vetë për Skenderajn”, tha Jashari.

“99 për qind si i pavarur, 1 për qind mund të ndodh që unë do të bëjë subjekt timin, iniciativë ose parti. Por nëse vjen puna me bë do e bëjë në nivel vendi, jo vetëm për Skenderaj”, tha Jashari në Kanal10.

Jashari ka komentuar zërat që një anëtar i kësaj familje të jetë kandidat për president të vendit.

Thotë të mos kenë pasur biseda konkrete me asnjë subjekt politik për një çështje të tillë.

“Me neve, as me mua e as me Muratin, asnjë subjekt politik, asnjë lider i asnjë partie nuk ka hy në temë konkrete për çështjen e presidentit. S’ka pasur diçka konkrete si a do të pranoni a s’do të pranoni nëse ju propozojmë s’ka pasur”, tha Jashari.

Thotë se do e diskutonin marrjen e përgjegjësisë së të parit të vendit nëse do të dakordoheshin të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend.

“Ne anëtarët e gjallë që jemi sot kemi tregu vazhdimisht në momente të caktuara që jemi gjak i atyre që kanë rënë për lirinë e këtij vendi. Që kemi guxim, mundemi dhe dijmë me marrë përgjegjësi në momente të caktuara. Edhe në këtë rast e kam thënë, në qoftë se i gjithë spektri politik, apo me një fjalë, partitë politike që janë të përfaqësuara në parlamentin e Kosovës dakordohen, gjejnë konsensusin mes vete që një anëtar i familjes Jashari me propozuar për kandidat për president atëherë do të marrin përgjigje nga ne”, tha ai.

Jashari thotë se ata nuk do të bëhen pjesë e ‘lojërave’ të partive politike.

“Ne nuk do të pranojmë me hy në lojëra të tyre që një subjekt të propozon e tjetri të kundërshton. Ne do të pranojmë vetëm kur këta të jen të gjithë së bashku dakord”, theksoi ai.

“Kemi pasur oferta të ndryshme për pozita të ndryshme, por asnjëherë s’kemi kërkuar pozita. Nëse ata dakordohen vetë, ne do e marrim atë përgjegjësi”, tha Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat