Jusuf Buxhovi flet për vrasjen e Enver Malokut, tregon se atentat ndaj kujt ishte kjo vrasje

Aktuale

Jusuf Buxhovi flet për vrasjen e Enver Malokut, tregon se atentat ndaj kujt ishte kjo vrasje

Nga: P.R Më: 11 janar 2021 Në ora: 13:53
Jusuf Buxhovi

Historiani i njohur shqiptar, Jusuf Buxhovi, përmes një postimi në facebook ka kujtuar ish gazetarin dhe veprimtarin e LDK-së, Enver Malokun, në 22 vjetorin e vrasjes.

Buxhovi ka shkruar se vrasja e Malokut ishte atentat ndaj shtetit të Kosovës.

“Vrasja e Enver Malokut, gazetarit dhe veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 11 janar 1999, paraqet atentatin e sofistikuar ndaj institucionit të rëndësishëm të shtetit të Kosovës dhe të konceptit të saj të vendosur mbi rezistencën intitucionale. Qendra Informative e Republikës së Kosovës (QIK), përgjegjëse për informimin, drejtor i së cilës ishte Enver Maloku, prej kohësh kishte marrë rolin e agjencisë kombëtare në përmasat e brendshme dhe ato ndërkombëtare”, shkruan ndër tjerash Buxhovi, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Përkujtesë

VRASJA E ENVER MALOKUT – ATENTAT NDAJ INSITUTCIONIT TË SHTETIT TË KOSOVËS

Vrasja e Enver Malokut, gazetarit dhe veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 11 janar 1999, paraqet atentatin e sofistikuar ndaj institucionit të rëndësishëm të shtetit të Kosovës dhe të konceptit të saj të vendosur mbi rezistencën intitucionale. Qendra Informative e Republikës së Kosovës (QIK), përgjegjëse për informimin, drejtor i së cilës ishte Enver Maloku, prej kohësh kishte marrë rolin e agjencisë kombëtare në përmasat e brendshme dhe ato ndërkombëtare. Shkrimet e QIK-ut konsideroheshin burime zyrtare të Qeverisë së Kosovës dhe shtetit paralel, të cilave u referoheshin agjencitë meritore botërore. Po ashtu, raportet ditore të QIK-ut, gjenin vend në biltenet zyrtare shtetërore të SHBA-ve, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera të NATO-s, pa përjashtuar këtu edhe ato të disa vendeve latino-amerikane dhe afrikane. Prandaj, atentati ndaj drejtuesit të saj, ishte atentat ndaj shtetit të Kosovës dhe infrastrukturës së tij kredibile informative, që përhapte të vërtetën në botë.

Por, fakti që Enver Maloku është vrarë si Drejtor i Qendrës Informative të Republikë së Kosovës, të shumtën është anashkaluar ose edhe harruar, madje edhe në përkujtimet partiake, ku rëndom, me atributet e natyrës patetike-folklorike, habitshëm është zhveshur nga ky ofiq! Këtë më së miri e pasqyron edhe lapidari i tij në Prishtinë, pa asnjë informim të kësaj natyre. KJo tregon se shteti i Kosovës dhe historia e tij e ndërtimit të brendshëm, edhe në saje të anemisë së strukturave drejtuese të LDK-së në të, ende gjithnjë vazhdon të privohet nga e verteta për shënjimin e shtyllave institucionale ashtu si duhet mbi të cilat u ndërtua dhe veproi për të ardhur deri te koha jonë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat