Ish-diplomati Xhevat Mustafa dyshon se u kërcënua për shkrimet kundër Ramës dhe Partisë Socialiste

Aktuale

Ish-diplomati Xhevat Mustafa dyshon se u kërcënua për shkrimet kundër Ramës dhe Partisë Socialiste

Nga: A.M. Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 10:58
Xhevat Mustafa

Publicisti dhe ish-diplomati, Xhevat Mustafa, ka denoncuar një rast që e konsideron si të dyshimtë dhe potencialisht kërcënues, pasi persona të panjohur kanë vizatuar dy simbole me ngjyrë në derën e banesës së tij në Tiranë.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 20 nëntorit, pas orës 22:00, në banesën e tij, në pallatin prapa shkollës “1 Maji”.

Ai ka treguar se në pjesët e poshtme të dy brezave anësorë të derës janë vizatuar dy simbole me ngjyrë të kaltër të errët, të cilat, sipas tij, nuk ishin shumë të qarta.

“Ky akt është kryer pas orës 22.30, kur fëmijët, përgjithësisht, janë në gjumë në atë orë, ndërsa ‘minjtë’ e neodiktaturës dalin të kryejnë detyrat inkuizicioniste dhe paraelektorale, të ngarkuara e të mirëpaguara...nga ‘Qendra’ dhe ‘Shefi’!”, ka shkruar Mustafa.

Publicisti dyshon se shenjat mund të jenë të lidhura me shkrimet dhe qëndrimet e tij publike kundër Partisë Socialiste dhe drejtuesve të saj.

“Dyshimi i parë e më i fortë është se ato shkarravina janë punë e 1 apo 2 ish sigurimsave të hershëm apo patronazhistëve të sotëm, që kanë në patronazh bllokun tonë nr. 2 dhe pallatin tonë, pranë ‘Rr. Zonja Çurre’, ish ‘Shyqyri Ishmi’”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka theksuar se prej më shumë se 35 vjetësh, si gazetar dhe analist politik, ka publikuar analiza dhe komente për zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë dhe vende të tjera.

Sipas tij, dyshimet për motivet e këtij veprimi lidhen edhe me shkrimet e publikuara gjatë muajve tetor dhe nëntor në gazetat “Bota Sot” dhe “Panorama”, si dhe në profilin e tij në Facebook.

Në postimin e tij, ai ka rikujtuar edhe një kërcënim që pretendon se kishte marrë në vitin 1991, për shkak të shkrimeve lidhur me pretendimet për grabitjen e rreth 270 tonëve flori nga Thesari i Shtetit, në periudhën 1984-1989.

Ai ka thënë se në atë kohë kishte siguruar dëshmi nga një shofer i Albtransportit dhe dy pjesëtarë të ekuipazhit të një anijeje tregtare, të cilët, sipas tij, kishin informacione për transportimin e arit nga Tirana drejt Venecias.

“Zëri që më kërcënoi në telefon më bëri dy pyetje, me nëntekst të qartë: ‘A do të shkojnë nesër në mëngjes vajza dhe djali yt në shkollë...? Po për fëmijët nuk mendon?’”, ka rrëfyer Mustafa.

Ai ka treguar se disa miq e kishin këshilluar që rastin e fundit ta denonconte në Komisariatin e Policisë Nr. 1 në Tiranë, por kishte vendosur të mos e bënte këtë.

Në fund të postimit, publicisti dhe ish-diplomati u ka bërë thirrje Edi Ramës, Taulant Ballës dhe Ervin Demos që, siç është shprehur ai, t'u vënë “fre” patronazhistëve.

Image
Dy simbole me ngjyrë të kaltër të errët në derën e banesës së ish-diplomatit Xhevat Mustafa, ai dyshon për kërcënim
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat