Komandanti i Kosharës, Milazim Maraj ka kujtuar bashkëluftëtarin e tij, Arben Sejdiun, ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Betejën e Koshares dhe pjesëtarin e gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës, i cili u vra më 22 nëntor 2010.
Në përvjetorin e vrasjes së tij, Maraj ka shprehur dhimbjen për humbjen e bashkëluftëtarit, duke theksuar se edhe pas 16 vjetësh nuk janë zbuluar autorët dhe urdhërdhënësit e këtij krimi.
Ai e ka përshkruar Sejdiun si luftëtar të përkushtuar për lirinë e Kosovës, profesionist të dalluar në Policinë e Kosovës dhe koleg besnik, i cili gjithë jetën ia kishte kushtuar lirisë dhe sigurisë së qytetarëve.
“Jemi krenar që e patëm. Jemi të brengosur që nuk u zbulua krimineli as urdhërdhënësi”, ka shkruar Maraj.
Ai ka rikujtuar edhe rrethanat që e bëjnë këtë vrasje edhe më të rëndë, duke theksuar se Sejdiu ishte vrarë në shtëpinë e një të afërmi të tij, pavarësisht përkushtimit që kishte treguar në luftë dhe në shërbim të Policisë së Kosovës.
Maraj ka shprehur gjithashtu zhgënjimin për mungesën e rezultateve në zbardhjen e kësaj vrasjeje, duke kritikuar institucionet e Kosovës për moszbulimin e autorëve dhe urdhërdhënësve.
“Zhgënjim që krimineli ende nuk u zbulua nga asnjë Qeveri e Kosovës e zgjedhur me votën e lirë deri tash”, ka theksuar ai.
Në fund, Maraj u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të zbardhin vrasjen e Arben Sejdiut dhe të gjithë atyre që, sipas tij, u vranë pas luftës për shkak të angazhimit të tyre.
“Kosova nuk do të jetë e qetë derisa kriminelët të zbulohen dhe dënohen”, ka përfunduar ai.