Gjykata e obligon UP-në që deputetes Eliza Hoxha dhe tre paditësve të tjerë të ua kompensojë pagat jubilare

Aktuale

Gjykata e obligon UP-në që deputetes Eliza Hoxha dhe tre paditësve të tjerë të ua kompensojë pagat jubilare

Më: 27 janar 2021 Në ora: 16:28
Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar padinë e paditësve Eliza Hoxha, Ardita Byci Jakupi, Arta Xhambazi, Arban Berisha, të cilët kanë kërkuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”(UP-ja), kompensimin e pagave jubilare.

Me padinë e ushtruar në dhjetor të vitit 2019, paditësit kanë kërkuar kompensimin e shpërblimit jubilar me pretendimin se u takojnë sipas Kontratës Kolektive të Arsimit të datës 18 prill 2017.

Me aktgjykimin e 26 tetorit 2020,  të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aprovohet e bazuar padia e paditësve Hoxha, Byci Jakupi, Xhambazi dhe Berisha, për kompensimin e pagave jubilare.

Me këtë aktgjykim, e paditura është obliguar që paditëses Eliza Hoxha në emër të shpërblimit jubilar për 16 vite të përvojës së punës t’ia kompensoj 50% të pagës bazë dhe atë në shumë prej 378.41 euro.

Kurse për paditësen Ardita Byci Jakupi, e paditura është obliguar që në emër të shpërblimit jubilar për 15 vjet të përvojës së punës t’ia paguajë 50% të pagës bazë dhe atë në shumë prej 376.70 euro, ndërsa me këtë vendim iu është refuzuar kërkesa për kompensimin e shumës prej 233.29 euro.

Ndërsa për paditësen Arta Xhambazi, e paditura është obliguar që në emër të shpërblimit jubilar për 14 vite të përvojës së punës, t’ia paguajë 50% të pagës bazë, dhe atë në shumë prej 417.53 euro.

Kurse për paditësin Arban Berisha, e paditura është obliguar që në emër të shpërblimit jubilar për 24 vite të përvojës së punës, t’ia paguajë 75% të pagës bazë, dhe atë në shumë prej 588.12 euro.

Po ashtu, gjykata me këtë vendim e ka obliguar të paditurën që paditësve t’iu kompensojë edhe kamatën vjetore prej 8% nga data e marrjes së aktgjykimit.

Gjithashtu, me këtë vendime  paditura është obliguar që t’i kompensojë edhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 956.00 euro.

Me rastin e marrjes së këtij aktgjykimi, gjykata i është referuar Kontratës Kolektive të Arsimit të datës 18 prill 2017, respektivisht nenit 2 paragrafi1 nën paragrafi 1.1 ku parashihet se “Dispozitat e kësaj kontrate kolektive, janë të zbatueshme për të gjithë të punësuarit në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit para universitar (parashkollor, fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, shkolla speciale e qendra të kompetencës) dhe institucionet e arsimit të lartë në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, të cilët janë anëtarë të SBASHK-ut”.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar me 16 dhjetor 2019, paditësit Hoxha, Byci Jakupi, Xhambazi dhe Berisha po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, kompensimin e pagave jubilare.

Në padi thuhet se, Kontrata Kolektive e Arsimit e datës 18 prill 2017 e lidhur ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, janë paraparë obligimet e punëdhënësit të cilat janë të zbatueshme ndaj të gjithë të punësuarve në të gjitha institucionet publike dhe private në tërë territorin  Kosovës.

Siç thuhet në padi, paditësit i’u ishin drejtuar të paditurës me kërkesë për kompensimin e pagave jubilare, por e njëjta nuk kishte kthyer përgjigje.

Prandaj, me anën e kësaj padie katër paditësit po kërkojnë nga gjykata që kërkesa e tyre të aprovohet si e bazuar, dhe të detyrohet e paditura që t’iu kompensojë pagat jubilare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat