Foniqi nga Shoqata e të Verbërve: Kushtet e duhura për persona të verbër janë të paarritshme, pasi s’ka mjete

Aktuale

Foniqi nga Shoqata e të Verbërve: Kushtet e duhura për persona të verbër janë të paarritshme, pasi s’ka mjete

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 09:29
Mexhit Foniqi

Mexhit Foniqi nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës ka folur rreth vështirësive dhe të drejtat që gëzojnë personat e verbër në vend.

Foniqi në Sytë 7 bëri të ditur se në Kosova janë identifikuar 2,500 persona të verbër.

“Shoqata e të Verbërve të Kosovës ka gjashtë shoqata ndër komunale dhe shtatë komunale. Numri i personave të verbër të identifikuar sipas ligjit për persona të verbër janë rreth dy mijë e 500 persona”.

“Këta persona ndahen në dy kategori që gëzojnë të mira materiale nga ky ligj. Janë dhe rreth tre mijë kanë dëmtime në shikim por që nuk janë përfitues nga ky ligj por gëzojnë të drejta të tjera siç janë trajnime të ndryshme për ta”, tha Foniqi.

“Misioni i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës është mbrojtja e komunitetit të të verbërve, edukimi dhe shkollimi, punësimi dhe rehabilitimi i kësaj kategorie. Nuk jemi ne ata që bëjmë punësimin por lobojmë para institucioneve me qëllim të realizimit të të drejtave të këtij komuniteti”.

Foniqi mes tjerash foli edhe për vështirësitë që hasin si komunitet.

“Personi i verbër është me aftësi të kufizuara që është ndoshta më e rënda nga të gjitha aftësitë e kufizuara të tjera meqë personi i verbër është çdoherë i lidhur me një person që e asiston”.

“Personi i verbër në kushte të tanishme nuk ka mundësi që të lëviz vetëm duke marrë për bazë trafikun jo të rregullt, infrastrukturën joadekuate dhe ka vështirësi të shumta. Përderisa në vende të ndryshme të Evropës personat e verbër lëvizin lirshëm vetëm me ndihmën e shkopit. Mirëpo, tek ne këto kushte janë të paarritshme pasi nevojiten mjete të mëdha materiale për realizimin e tyre”, tha Foniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat