Blerim Latifi: Ja si Shaban Jashari strehonte kaçakët, as agjentët e UDB-së nuk i binin në fije

Aktuale

Blerim Latifi: Ja si Shaban Jashari strehonte kaçakët, as agjentët e UDB-së nuk i binin në fije

Nga: N.Sh Më: 6 mars 2021 Në ora: 13:53
Shaban Jashari dhe Dervish Kopriva

Profesori universitar Blerim Latifi i cili edhe vet është pjesëtar i UÇK-së dhe vjen nga Prekazi, ka folur për bacën Shaban Jasharin.

Latifi në një shkrim në Facebook, tregon se Shaban Jashari ditën mësonte fëmijët në shkollën e Prekazit, ku ishte mësues aty dhe natën takonte kaçakët apo grupet e rezistencës shqiptare.

“Në atë kohë, në vitet 1949-1951, nëpër malet e Drenicës ende kishte grupe të vogla kaçakësh që nuk u ishin dorëzuar autoriteteve jugosllave. Ndër më të njohurit prej këtyre grupeve ishte ai i Dervish Koprivës”, tregon Latifi.

Ai shkruan se, Shabani ditën mësonte fëmijët, kurse natën takonte Dervish Koprivën të cilit i dërgonte ushqime, veshmbathje dhe informata në mal.

“Të gjithë në Prekaz e dinin se mësuesi Shaban ishte kthyer në jatak për Dervish Koprivën, por askush nuk fliste, sepse ai ishte në besë të tyre. Agjentët e UDB-së endeshin ditën e natën në kërkim të kaçakëve, por nuk u binin dot në fije, për një arsye të thjeshtë se nuk u shkonte mendja se ata po strehoheshin nga mësuesi i fshatit. Ky ishte Shaban Jashari, babai i Adem e Hamzë Jasharit”, shkruan Latifi.

Postimi i plotë:

Ditën mësonte fëmijët, natën takohej me grupet e rezistencës

Kur Ernest Koliqi, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte dërguar qindra mësues për të hapur shkollat shqipe në Kosovë, ai u kishte ngarkuar atyre detyrën që jo vetëm t'i mësonin fëmijët, por edhe të përgatisnin mësues të rinj.

Njëri prej këtyre mësuesve të rinj quhej Shaban Jashari dhe vinte nga fshati Prekaz. Kur lufta përfundoi dhe komunistët erdhën në pushtet, ata menduan ta bëjnë për vete mësuesin e ri. I thanë se duhej të vazhdonte të jepte mësim në shkollën e Prekazit dhe se do të paguhej për punën e tij. Ai pranoi dhe ata menduan se tanimë ai ishte kthyer në njeri të regjimit të tyre.

Por ishin gabuar shumë. Në atë kohë, në vitet 1949-1951, nëpër malet e Drenicës ende kishte grupe të vogla kaçakësh që nuk u ishin dorëzuar autoriteteve jugosllave. Ndër më të njohurit prej këtyre grupeve ishte ai i Dervish Koprivës.

Dhe mësuesi i ri çfarë bënte: ditën i mësonte fëmijët në shkollë, ndërsa natën shkonte të takohej me Dervish Koprivën, të cilit i dërgonte ushqime, veshmbathje dhe informata në mal. Të gjithë në Prekaz e dinin se mësuesi Shaban ishte kthyer në jatak për Dervish Koprivën, por askush nuk fliste, sepse ai ishte në besë të tyre.

Agjentët e UDB-së endeshin ditën e natën në kërkim të kaçakëve, por nuk u binin dot në fije, për një arsye të thjeshtë se nuk u shkonte mendja se ata po strehoheshin nga mësuesi i fshatit. Ky ishte Shaban Jashari, babai i Adem e Hamzë Jasharit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat