Duhej të ishte në burg që nga 22 marsi, Shukri Buja shëtitet i lirë në shtëpinë e tij në Bujan

Aktuale

Duhej të ishte në burg që nga 22 marsi, Shukri Buja shëtitet i lirë në shtëpinë e tij në Bujan

Më: 30 mars 2021 Në ora: 20:07
Shukri Buja

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, nuk do ta vuajë dënimin prej një viti burgim pasi Gjykata Supreme e ka kthyer rastin e tij në rigjykim.

Buja nuk ishte paraqitur më 22 mars për ta vuajtur dënimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte në krye të Komunës së Lipjanit.

Urdhëresa për këtë ishte lëshuar që nga muaji shkurt nga Gjykata Themelore. Supremja ka njoftuar se më 17 mars ka vendosur që të miratojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së mbrojtësve të Bujës, duke anuluar aktgjykimin e Themelores dhe të Apelit dhe e kthen kështu çështjen në shkallën e dytë në rigjykim.

Në kohën kur Gjykata Themelore e Prishtinës e ka urdhëruar ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, të paraqitet në vuajtje të dënimit me burgim, Gjykata Supreme e ka kthyer rastin në rigjykim në shkallën e dytë.

Instanca më e lartë e gjyqësorit në vend, e zhbëri vendimin e Apelit me të cilin Buja ishte dënuar me 1 vit burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte kryetar i Komunës së Lipjanit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e kolegjit të mbajtur më 17 mars 2021, vendosi që të miratojë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të të dënuarit Sh.B. me aktgjykimin PML 60/2021. Kolegji i Gjykatës Supreme ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës –Departamenti Special të datës 15.12.2020 në pjesën dënuese, përkitazi me këtë të dënuar dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së dytë në rigjykim”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Ndërkohë, para këtij vendimi të Supremes, sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore, Buja ishte dashur të fillonte vuajtjen e dënimit prej një viti burgim nga 22 marsi.

Me arsyetimin se Buja ka ndërruar vendbanim, gjykata nuk kishte arritur ta dorëzojë urdhëresën te Buja.

“E njëjta nuk ka arritur të dorëzohet pasi që në fletëdërgesë është shënuar se i njëjti është shpërngulur nga ajo adresë. Bazuar në këtë, Gjykata përsëri me datë 25.03.2021 ka përsëritur Urdhëresën për të që i njëjti të lajmërohet në vuajtje të dënimit me datë 12.04.2021, mirëpo deri më tani nuk kemi informacione nëse i njëjti ka pranuar Urdhëresën nga Gjykata”, ishte përgjigjja e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Por, ish-kryetari i Lipjanit është parë në fshatin e tij Bujan dhe prapa kamerës i ka thënë televizionit se këtu po qëndron vetëm gjatë ditës për t’i ndihmuar djalit të tij në biznes, ndërsa shtoi se organet e drejtësisë e kanë numrin e tij dhe mund ta kontaktojnë.

I kontaktuar nga televizioni ish kryetari i Lipjanit, Shukri Buja ka thënë se nuk ka pranuar asnjë urdhëresë nga Gjykata. Në insistimin për të folur për këtë para kamerës, Buja ka thënë se është lodhur nga gazetarët.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 shtator 2020, ish-kryetarin e Lipjanit e kishte dënuar me dy vjet burgim për korrupsion, pasi ishte kthyer në rigjykim nga Apeli, i cili më pas e prishi vendimin e Themelores, duke e dënuar Bujën me një vit burgim efektiv.

Fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar ishin shpallur edhe zyrtarët tjerë komunalë të Lipjanit, Bajram Rizani, Halit Gashi, Edmond Rexhepi, kurse për marrje ryshfeti, fajtor ishte shpallur Hasim Viseshella.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat