Kuvendi i Kosovës e themeloi, por Gjykata Speciale nuk i raporton as atij

Aktuale

Kuvendi i Kosovës e themeloi, por Gjykata Speciale nuk i raporton as atij

Më: 21 prill 2021 Në ora: 18:13
Gjykata Speciale

Ndonëse u krijua me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Speciale nuk i raporton shtetit kosovar. Kjo është konfirmuar nga ky institucion me anë të në një përgjigjeje. Megjithatë, një gjë e tillë mund të bëhet vetëm nëse e kërkojnë institucionet e vendit. Specialja s’i raporton as EULEX-it dhe as UNMIK-ut, kanë konfirmuar këto dy misione.

Më tre gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës më 82 vota për, pesë kundër dhe një abstenim, votoi për themelimin e Gjykatës Speciale.

Ani pse puna e këtij institucioni ka nisur që atëherë, lidhur me mbarëvajtjen e proceseve të ndryshme nuk është raportuar asnjëherë në shtetin e Kosovës. Madje, pjesë e kësaj gjykate nuk është asnjë simbol i Republikës së Kosovës.

Media ka pyetur në Kuvendin e Kosovës nëse është pranuar ndonjë raport nga Gjykata Speciale lidhur me punën e saj.

​“Referojuni Amendamentit XXIV të Kushtetutës dhe Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në Kuvendin e Kosovës.

Sipas këtij amendamenti, “para hyrjes në ndonjë marrëveshje ndërkombëtare me një shtet të tretë në lidhje me bashkëpunimin juridik, që përndryshe do të kërkonte ratifikim sipas Nenit 18, Dhomat e Specializuara do të kërkojnë pajtimin paraprak të Qeverisë”.

Megjithatë, ndonëse janë krijuar nga Kuvendi i Kosovës, Dhomat e Specializuara nuk i raportojnë deputetëve kosovarë lidhur me punën e tyre. Kjo është konfirmuar nga zyra për informim e kësaj Gjykate, sipas të cilës, raportimi bëhet përmes faqes së tyre zyrtare.

“Dhomat e Specializuara janë institucione të pavarura. Në lidhje me gjykimet, KSK raporton publikisht në raportin e saj vjetor mbi aktivitetet e saj gjyqësore, si dhe administratën e saj duke përfshirë buxhetin, burimet njerëzore dhe aktivitetet e tjera. Të gjitha seancat dëgjimore publike të KSK-së (paragjyqi, gjykimi, ankesat) janë të hapura për publikun, të transmetuar në video në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe përmes faqes në internet. Të gjitha dosjet publike, përfshirë aktakuzat, vendimet dhe regjistrimet e tjera janë në dispozicion përmes bazës së të dhënave të të dhënave të gjykatës publike, e cila është gjithashtu e qasshme përmes faqes sonë të internetit”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara, e cila një pjesë të materialit ende nuk e ka të përkthyer në gjuhën shqipe.

Dhomat e Specializuara mund t’u raportojnë institucioneve të Kosovës, nëse u kërkohet

Taulant Hodaj, avokat i licencuar i Gjykatës Speciale, ka thënë se Specialja mund t’i raportojë institucioneve të Kosovës për çështje të caktuara, vetëm nëse i kërkohet.

“Në bazë të Ligjit dhe rregullores, Gjykata Speciale nuk ka për detyrë t’i raportojë institucioneve të Kosovës. Por, sipas rregullores, institucionet e Kosovës mund të kërkojnë përmes parashtresave të ndërmjetme nga gjyqtari përkatës të marrin parasysh ndonjë çështje të caktuar që lidhet me interesin e Kosovës”, ka thënë Hodaj.

A i raportojnë Dhomat e Specializuara, EULEX-it dhe UNMIK-ut?

Media ka dërguar pyetje edhe te Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), të cilët kanë thënë se nuk kanë marrë raporte nga Dhomat e Specializuara.

“Aktivitetet e Dhomave të Specializuara janë përfshirë si anekse të raporteve të UNMIK-ut të Sekretarit të Përgjithshëm për periudhën raportuese që nga viti 2016 dhe janë dorëzuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së. Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, ku EULEX është një mision civil nën Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian. EULEX siguron mbështetje logjistike dhe operacionale për Specialen, në përputhje me mandatin e tij dhe legjislacionin përkatës të Kosovës, në veçanti Ligjin Nr. 04 / L-274. Sigurimi i mbështetjes për Specialen nga EULEX është gjithashtu i mandatuar sipas Vendimit të Këshillit të BE 2014/685 / CFSP të 29 Shtatorit 2014”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Edhe nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), kanë thënë se nuk u raportojnë Dhomat e Specializuara për punën e tyre.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit Special janë themeluar në përputhje me Shkëmbimin e Letrave ndërmjet Presidentit të Kosovës dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe miratimin e kornizës ligjore përkatëse nga Kuvendi i Kosovës.

Aneksi I i Raportit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi UNMIK, mbi aktivitetet e EULEX, dhe Aneksi II, për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special, janë pjesë e paraqitjes së Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara për raporte në Këshillin e Sigurimit. Praktika e aneksimit të një raporti mbi aktivitetet e EULEX filloi pas rikonfigurimit të UNMIK në 2008. Një shtojcë e veçantë mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit Special ka qenë në fuqi që nga viti 2017”, kanë thënë nga UNMIK për Demokracia. Ndryshe, i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale ka qenë ish-shefi i intelegjencës së FSK-së, Salih Mustafa. Arrestimi i tij ka ndodhur më 24 shtator të vitit 2020.

Gjykata Speciale ka arrestuar edhe ish-krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, pas publikimit të disa dosjeve me të cilat konsiderohet se e kanë penguar procesin.

Dy muaj më vonë, në nëntor të vitit 2020, është arrestuar edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Të nesërmen, Gjykata Speciale bëri publike edhe aktakuzat ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët më pas udhëtuan për Hagë.

Ndërkaq, muajin që lamë pas, ka ndodhur edhe arrestimi i radhës. Autoritetet e Belgjikës arrestuan Pjetër Shalën, në bazë të fletarrestimit dhe aktakuzës së konfirmuar të lëshuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat