Përfundon takimi, Vuçiq tregon se për çfarë u pajtuan dhe ku u rrit tensioni në takimin me Kurtin

Aktuale

Përfundon takimi, Vuçiq tregon se për çfarë u pajtuan dhe ku u rrit tensioni në takimin me Kurtin

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 06:18
Foto nga takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e BE-së

(E plotësuar 14:16) - Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sa më shpejt që arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, aq më lehtë do të jetë, pasi ai theksoi se pa njohje të ndërsjellë, asnjëra palë nuk do të mund të anëtarësohet në BE.

"Unë theksova se në kuadër të mandatit të zotit Borrell dhe në kuadër të mandatit të presidentit Biden do të duhej të bëhej marrëveshja, mirëpo sa më herët që bëhet aq më kollaj është", tha Kurti për gazetarët pas takimit në Bruksel.

Ai pranoi se për arritjen e një marrëveshjeje të tillë nuk do të jetë e lehtë, por tha se nuk "është pesimist" pasi "tashmë po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre, e nuk po përpiqemi ta evitojmë elefantin në dhomë. Kjo është se presidenti (i SHBA-së, Joe) Biden ka kërkuar njohje të ndërsjellë me qenë se aktualisht kemi mosnjohje të ndërsjellë".

Ndërkaq sa i përket takimit me Vuçiqin, tha se ka prezantuar katër ide të reja, ku njëra ndër to ishte edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën dhe "në këtë mënyrë t'i kontribuojmë paqes dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë".

Po ashtu, Kurti tha se gjatë takimi ka ngritur edhe çështjen e personave të pagjetur, që sipas tij, është çështje "që nuk pret".

"Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte 'naçelnik (shefi) i qarkut të Kosovës', dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq", ka thënë Kurti, duke shtuar se nuk ka parë gatishmëri nga pala serbe për këtë çështje.

"Nuk duket që ka gatishmëri (nga Serbia) për t’u marrë me njerëzit përgjegjës të asaj kohe, të cilët, fatkeqësisht, janë edhe në pozita shtetërore. Pra, nuk bëhet fjalë për njerëz që janë bërë deputet me votat e qytetarëve, por për njerëz të emëruar nga pushteti i atjeshëm, në ato pozita që i kanë”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës po ashtu tha se ka propozuar që të pas njohjes së ndërsjellë, sa i përket pakicave të aplikohet parimi i reciprocitetit bilateral, duke u krijuar në Kosovë Këshill nacional për serbët, ashtu siç e kanë shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Po ashtu ai ka prezantuar edhe një ide për ridizajnimin e marrëveshjes së CEFA-s, por sipas tij tri propozimet janë refuzuar nga delegacioni i Serbisë, ndërkaq për CEFTA-n nuk kanë marrë përgjigje.

Vuçiq: Nuk u pajtuam absolutisht për asgjë

Ndërkaq, pas takimit, presidenti i Serbisë, Vuçiq tha se nuk ka rënë dakord me Kurtin "absolutisht për asgjë".

Vuçiq ka thënë po ashtu se Kurti e pyeti se a do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Njeriu erdhi që të mos pajtohej për asgjë. Njeriu erdhi që të thotë ‘erdha të të pyes se kur do ta pranosh pavarësinë e Kosovës’. Përgjigja ime ishte kurrë. Pastaj ai shpërtheu”, theksoi Vuçiq.

Presidenti serb ka thënë se pala e Kosovës nuk dëshiron të plotësojë marrëveshjet që kanë nënshkruar.

“Pra, nuk dëshirojnë fare të bisedojnë për Asociacionin e Kosovës. Së dyti, ata kërkuan me urgjencë dhe menjëherë të dëgjojnë se kur do ta pranojmë Kosovën e pavarur dhe së treti, ata i quajnë incidente dhe provokime faktin që serbët dëshirojnë të marrin pjesë në liturgjitë në kishat e tyre, sepse tokat për ato kisha janë dhënë mbase në kohën e pushtetit të Slobodan Milosheviqit”, ka thënë Vuçiq.

Ai shtoi se me palën e Kosovës kanë biseduar për çështjen e të pagjeturve, për parimet dhe për atë se sa është e rëndësishme që të zbulohen vendet ku janë varrosur, civilët shqiptarë ose ata serbë. Ai tha se i ka ofruar palës së Kosovës që gjithmonë nëse kanë dyshime se ku mund të ketë çfarëdo varreze, ato të hapen dhe t’i tregohet opinionit. Por, sipas tij, në këtë pikë ka pasur përplasje verbale me palën e Kosovës.

“Më pas na thanë se kjo nuk mund të bëhet. Pse nuk mund të bëhet? Për shkak se në krye të komisionit është Veljko Odaloviq dhe se sipas tyre ai është Geringu dhe Gebelsi. Atëherë unë i thash që më tepër ai i ngjanë Gebelsit se sa Veljko Odaloviq. Por, të jem sinqertë, e gjithë kjo që e thash është në formën më të zbutur se sa që ka qenë me të vërtetë. Nuk pash kurrfarë qasje racionale dhe asgjë tjetër”, tha Vuçiq.

Ky takim u ndërmjetësua nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak: Takimi nuk ishte i lehtë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se takimi i së martës në mes të kryeministritKurti dhe presidentit Vuçq nuk ka qenë i lehtë, mirëpo është e rëndësishme që ka ndodhur.

Ai ka deklaruar se procesi i dialogut do të vazhdojë para fundit të korrikut.

“Të dy liderët kanë pasur deklarata të sinqerta rreth asaj se çfarë duan palët nga dialogu. Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak pas takimit.

Sipas tij, si Kurti, ashtu edhe Vuçiq janë pajtuar për normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut.

Sipas Lajçakut, blloku evropian, bashkë me popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë, kanë pritshmëri të larta nga të dy liderët, që të tejkalojnë trashëgiminë e së kalurës dhe ta shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt të ardhmes evropiane.

***

Ka përfunduar në Bruksel takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë këtij takimi, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka thënë se dialogu dhe rezultati që del nga ai është rruga drejt të ardhmes evropiane të të dyja palëve.

Ai tha se dialogu ka sjellë rezultate të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë.

“Unë jam duke pritur një takim të ri të Dialogut të Nivelit të Lartë Beograd Prishtinë sot me Presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti”, ka shkruar Borrell.

“Dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt së ardhmes evropiane të të dy palëve. Ndërkohë, ai solli rezultate të rëndësishme për qytetarët e tyre”, ka theksuar ai.

Përveç Borrellit, takimi i parë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, u ndërmjetësua e edhe nga përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Borrell paraprakisht i ka takuar ndaras Kurtin e Vuçiqin, ndërsa pas pak pritet të mbahet një konferencë për media.

***

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se janë dakorduar që dialogu i nivelit të lartë të vazhdojë deri në fund të korrikut. Ai gjithashtu foli edhe për mospajtimet mes tyre.

“U ra dakord për të vazhduar dialogun deri në fund të korrikut”, tha Vuçiq pas takimit.

“Delegacioni shqiptar nuk dëshiron ta përmbushë atë që nënshkroi. Ata e quajnë provokim faktin që serbët duan të marrin pjesë në liturgji… Mungesë e plotë e realitetit”, tha Vuçiq para gazetarëve.

“Nuk kam marrë pjesë në asnjë takim tjetër si ky”, tha presidenti serb.

Ai tha se kishte folur ashpër me Kurtin.

“Unë u përgjigja ashpër, por nuk e kalova kufirin. Njeriu erdhi që të mos binte dakord për asgjë. Ai tha: “Kam ardhur të të pyes kur do ta njohësh Kosovën”. Unë i thashë: “Asnjëherë”. Ai shpërtheu”, theksoi Vuçiq.

 

 

 

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Joseph Borrell, tashmë është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në Twitter, Borrell ka publikuar fotografitë e takimit dhe ka shkruar se dialogu është hap shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të dy vendeve.

“Jam duke drejtuar një takim të ri të nivelit të lartë në dialogun Prishtinë – Beograd, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Dialogu dhe rezultatet e tij janë rruga drejt të ardhmes evropiane të dy palëve. Në ndërkohë, ai sjell rezultate të rëndësishme për qytetarët e tyre”, ka shkruar Borrell.

Në një deklaratë për media, të dhënë para këtij takimi, Borrell tha se të gjitha palët e dinë që dialogu nuk do të jetë i lehtë, por ai duhet të vazhdojë.

“Është kënaqësi të presim në Bruksel presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas vizitës së tyre në Bruksel në fund të prillit. Në këtë moment, I inkurajojmë të vazhdojnë të takimet e dialogut pa vonesa dhe të sjellin rezultate të qarta, pavarësisht krejt vështirësive. E di se dialogu nuk do të jetë i lehtë, por ky proces me angazhimin e dy palëve është i nevojshëm për të mirën e njerëzve në Kosovë dhe Serbi. Ta bëjmë të qartë se dialogu është më i miri për të ardhmen evropiane të dy vendeve. Në ndërkohë, ai ka sjellur rezultate të rëndësishme për qytetarët e Kosovës", ka deklaruar ai. 

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të parë në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ky takim po ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Para takimit trepalësh, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë se është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, mirëpo angazhimi i të dyja palëve është i domosdoshëm për popujt e dy vendeve.

Borrell ka thënë se gëzohet që takimi po zhvillohet në kohën e njëjtë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan, Joe Biden.

***

Nën ndërmjetësimin e BE-së, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq kanë filluar takimin e nivelit të lartë në Bruksel.

Komisioni Evropian ka publikuar në uebfaqen e saj disa fotografi të takimit, ku pjesëmarrës janë edhe kryediplomati Josep Borell dhe Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.

Kurtin në takim po e shoqëron zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërkaq Vuçiqin, ministri i jashtëm, Nikola Selakoviç.

Image

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka folur në një konferencë për media para takimit që do të mbahet me ndërmjetësimin e BE-së në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Borell ka deklaruar se në takimin e sotëm i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, derisa, takimin Kurti-Vuçiq e ka lidhur edhe me vizitën e presidentit amerikan në Bruksel.

“Sot, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ne do të mbajmë një takim të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Mua më vjen mirë që kjo po ndodh në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian do të takohet me presidentin Biden, këtu në Bruksel.

Është kënaqësi të takohemi në Bruksel dhe t’i mirëpresim Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, jo gjatë pas vizitës së tyre dypalëshe në Bruksel në fund të prillit”, ka thënë ai.

Takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel/Deklarohet Borrell: Procesi i dialogut nuk do të jetë i lehtë

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të martën se është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, mirëpo angazhimi i të dyja palëve është i domosdoshëm për popujt e dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen të martën, më 15 qershor, në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Borrell ka thënë se gëzohet që takimi po zhvillohet në kohën e njëjtë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan Joe Biden.

“Kemi një momentum të ri dhe na duhet ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë ai, duke thënë se kjo mundësi vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Borrell ka thënë se është e qartë se rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi shtrojnë rrugën për të ardhmen evropiane për të dyja palët.

Zyrtari i BE-së ka thënë mes tjerash se blloku evropian dhe vetë ai presin përparim të shpejtë në procesin e dialogut, për ta lënë të kaluarën mbrapa dhe të arritur marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i nivelit të lartë në dialog do të lehtësohet nga Borrell, i cili do të mbështetet nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi i së martës është i pari ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

Fillimisht Borrell do të ketë takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, ndërkaq rreth orës 10:30 pritet të nisë takimi trepalësh, ku do të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës, presidenti i Serbisë, kreu i diplomacisë së BE-së, Borrell, si dhe përfaqësuesi i Posaçëm, Lajçak.

Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel, kjo është agjenda

Bashkimi Europian (BE) ka njoftuar se sot do të mbahet një takim i nivelit të lartë i Dialogut Kosovë - Serbi i cili  do të zhvillohet në Bruksel.

Dialogu do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i cili mbështetet nga Përfaqësuesi Special i BE Miroslav Lajçak.

Në takim do të marrin pjesë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Dialogu i lehtësuar nga BE synon që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme që adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre Evropiane, të krijojnë mundësi të reja dhe të përmirësojnë jetën e njerëzve.

Një marrëveshje midis palëve sipas BE-se është e dobishme edhe për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.

Agjenda:

Në orën 08:20 është planifikuar arritja e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell.

Pastaj, në orën 10:30, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Joseph Borrell, do të ketë takime bilaterale të ndara, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kurse, një tryezë e përbashkët plenare është planifikuar për orën 11:00.

Në orën 12:30 është paralajmëruar një konferencë për media e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd dhe çështje tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat