Telekomi paguan punëtorë pa shkuar në punë, paralajmëron ministrja: Po mbledhim informata

Aktuale

Telekomi paguan punëtorë pa shkuar në punë, paralajmëron ministrja: Po mbledhim informata

Më: 18 korrik 2021 Në ora: 14:56
Foto ilustrim

Një ditë më parë u raportua për rreth 150 punëtorë të Telekomit të Kosovës të cilët marrin paga pa shkuar fare në punë. Madje, mësohet se shumica prej këtyre punëtorëve për një kohë të gjatë madje gjenden edhe jashtë shtetit dhe paguhen nga Telekomi.

Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, deklaroi se kishte dëgjuar për punëtorë që paguhën pa shkuar në punë në ndërmarrjet publike, por tha se janë në proces të mbledhjes së informatave e në disa ndërmarrje janë duke u hulumtuar raste të tilla dhe se do të merren masa.

Rizvanolli: Punësimet, një nga problemet me të cilat bordet janë duke u informuar

“Mund të them që edhe pa e marrë detyrën e ministres së Ekonomisë, kam dëgjuar thashetheme për ndoshta dhjetëra apo ndoshta me qindra punëtorë në ndërmarrje që paguhen e nuk shkojnë në punë. Kjo është një nga problemet me të cilat bordet janë duke u informuar, dhe nga ana tjetër në disa prej ndërmarrjeve edhe është filluar të hulumtohet nga ana e menaxhmenti dhe të merren masa. Ne në fakt ende jemi duke u informuar për nivelin e problemeve që janë në këto ndërmarrje publike. Qytetarët e kanë një ide se cka ndodhë në një ndërmarrje publike për arsye se shpesh dëgjojmë skandale për to, ndoshta nuk shkon java apo muaj që nuk dëgjojmë për ndonjë kontratë të dëmshme, punësime të parregullta e të tjera nëpër ndërmarrje publike. Do me thënë edhe prej jashtë qytetarët e kanë krijuar një bindje se çfarë ndodhë. Mirëpo nëpër ndërmarrjet ku i kemi vendosur bordet e reja të cilat po raportojnë në ministrinë tonë në mënyrë të rregullte, të përpiktë dhe të shpeshtë, ashtu edhe siç duhet, ne mund të them se jemi në proces ende të kuptimit të problemeve, të niveleve dhe kompleksiteteve të probleme në ndërmarrjet publike”, deklaroi Rizvanolli.

Ndërmarrjet publike sot ballafaqohen me shumë probleme ku shumica dërrmuese prej tyre operojnë me humbje e madje kërkojnë ndihmën e Qeverisë së Kosovës për pagat e punëtorëve.

E pyetur nëse ka një afat se kur situata në këto ndërmarrje publike mund të stabiliziohet, titullarja e Ministrisë së Ekonomise tha se kjo është vështirë të parashikohet porse do të kërkojë shumë punë e angazhim nga bordet e reja.

Rizvanolli: Vështirë të parashikohet kur do të stabilizohet situata në ndërmarrjet publike

“Sigurisht që për t’u përmirësuar gjërat do të kërkojnë kohë, vetëm të kuptosh gjendjen e problemit të vërtetë dhe pastaj të arrish tek një zgjidhje kërkon kohë, e të mos flasim që zgjidhjet kërkojnë burime financiare, njerëzore e të tjera. Nëse flasim për se kur do të stabilizohen, unë mendoj që është vështirë të parashikohet, nuk është çështje që do të ndodhë brenda javës apo muajve, do të kërkoj shumë punë e angazhim dhe nuk është diçka që do të ndodhë brenda një afati të shkurtër”, u shpreh Rizvanolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat