Konfiskohen nga shteti veturat lukzose të blera nga “borxhliu” i Kadri Shalës, protagonistit të 2 milionëshit

Aktuale

Konfiskohen nga shteti veturat lukzose të blera nga “borxhliu” i Kadri Shalës, protagonistit të 2 milionëshit

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 15:32
Foto ilustrim

Dy milionë e 77 mijë euro kishin kaluar nga Thesari i Shtetit përmes katër transaksioneve në llogarinë e kompanisë private me bazë në Drenas, LDA Grup SHP, me pronarë Kadri e Valon Shala.

Vjedhja nga thesari ka ndodhur në kohën e pauzës së 9 tetorit dhjetë ditë para se të bëhej publik skandali.

Në këtë vjedhje është përfshirë firma e Astrit Zejnajt, vëllait të Argjend Zejnajt, ish-shef i kabinetit të Pal Lekajt, dhe anëtar i Kryesisë së AAK-së. Të gjithë këta janë të lidhur me firmën “LDA Group SH.PK. Kësisoj, kjo vjedhje lidhet me firma të njerëzve të fuqishëm të partive politike.

Transaksioni ilegal është kryer nga Labinot Gruda, zyrtar i Thesarit të Shtetit. Sipas Prokurorisë së Shtetit krejt ky proces ka ndodhur brenda 8 minutave.

Gruda ndodhet në paraburgim kurse Kadri e Valon Shala në arrati.

Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera. Nga këto, 17 llogari, paratë janë shpërndarë në rreth 50 llogari tjera, firmash e individësh të cilët kanë kryer blerje të ndryshme, nga ushqimi, deri të veturat luksoze.

Një hulumtim ka zbuluar se 261 mijë euro të tjera janë tërhequr në para të gatshme në banka nga pronarët e LDA Group Sh.P.K: Valon dhe Kadri Shala.

Rreth 400 mijë të tjera dyshohet se janë bllokuar në xhirollogaritë e kompanisë, në të cilën u realizuan katër pagesa ilegale në emër të Ministrisë së Infrastrukturës.

Përpos tërheqjes në formë kesh dhe elektronike të 266 mijë e 572 eurove nga xhirollogaritë e firmës, Valon e Kadri Shala kanë transferuar 26 mijë euro në xhirollogarinë e Klubit Futbollistik “KF Gryka e Llapushnikut” – një klubi të shuar futbolli, të cilin e kishte drejtuar Kadri Shala disa vjet më parë.

Tri ditë pas zhdukjes së milionave të Thesarit, secili nga dy djemtë e bashkë-pronarëve të Gashi Komerce Sh.P.K, u bënë pronarë të dy veturave të reja të markës gjermane Audi.

Kështu sugjeron një postim i bashkëshortit të Mevlide Gashit dhe vëllait të Gëzim Gashit, i cili uroi djalin e nipin e tij për blerjen e dy veturave të reja në një sallon automobilësh në Prishtinë.

Sipas të dhënave publike, Gashi Komerce Sh.P.K ka deklaruar kapital në vlerë prej 2 mijë eurove, ndonëse firma është regjistruar si biznes më 2014.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat