Agjenti i BIA-s deputet në Kosovë për herë të dytë! I vëllai dy herë kryetar i strukturave paralele në Shtërpcë!

Aktuale

Agjenti i BIA-s deputet në Kosovë për herë të dytë! I vëllai dy herë kryetar i strukturave paralele në Shtërpcë!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 18 nëntor 2021 Në ora: 17:18
Brasnisllav Nikoliq, i shkarkuar nga Thaçi si pjesëtar i BIA-s serbe, deputet

Si iu bë e mundur që institucionet e sigurisë ta lënë fillimisht të zgjidhet deputet dhe më pas edhe të rizgjedhet, një agjent të Shërbimit Sekret të Serbisë.

Derisa herën e parë në KQZ thanë se ata nuk kanë pasur të deponuar ndonjë ankesë për të, prandaj ishte zgjedhur, dhe thuajse kjo tingëllonte si një dakordësi se ‘sikur’ të ishte ngritur çështja më parë, nuk do të kishte ndodhur edhe lejimi i tij të bëhej deputet.

Por, si ndodhi, që pas më pak se dy viteve, ai të lihej të rizgjidhej, në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit të këtij viti.

Personi për të cilin është raportuar gjerësisht dhe është zënë në goje në vazhdimësi nga mediat është, Branisllav Nikoliq, nga Shtërpca.

Dy vëllezër, njëri përfaqëson BIA-n, tjetri Vuçiqin

Për dallim nga ky rast, KQZ-ja ka qenë mjaft e prerë, madje sa thuhet se Zafir Berisha nuk u la të konkurronte për një borxh të papaguar, faturë të rrymës. Po ashtu nuk i është lejuar të garojë në zgjedhje as Sami Lushtakut, për shkak të problemeve me ligjin.

Branisllav Nikoliqi, rezulton se nga viti 2016 deri në vitin 2019 për rreth tri vite kishte shërbyer si këshilltar i Hashim Thaçi, deri kur u detyrua ta shkarkonte, pasi mediat nxitën debat të ashpër me raportimin se ai është një agjent i shërbimit inteligjent të Serbisë, BIA-s.

Ndërsa, presidenti Thaçi në ditën që e kishte liruar nga detyra këshilltarin e tij serb fajin ua kishte hedhur institucioneve të sigurisë, që sipas tij nuk i kanë dhënë informacione paraprake për përfshirjen e mundshme të Nikoliqit në aktivitete të dyshimta.

Image
Hashim Thaçi pas presionit publik e shkarkon agjentin e BIA-s

Po ashtu, sipas mediave të afërta me Thaçin, raportohej pas shkarkimit të tij, se emërimi ishte bërë pikërisht nga ‘miku i ngushtë i tij’, që përfaqësonte strukturat paralele të Serbisë në Shtërpcë.

“Miku i ngushtë i Hashim Thaçit, Bratislav Nikoliq që është kryetar i Komunës së Shtërpcës ka ndikuar tek presidenti i vendit që vëllai i tij të emërohet këshilltar i presidentit të Kosovës”.

Pra, në kundërshtim me deklarimet e Presidentit dhe njoftimin zyrtar të Presidencës së Kosovës, se ky institucion nuk kishte qenë në dijeni për veprimtarinë e dyshuar si agjent, ajo dhe institucionet e sigurisë ishin në dijeni të plotë, të arrestimit të tij për të falsifikuar prova se kinse në Kosovë ka pasur gjatë luftës trafikim të organeve.

Arrestimi pompoz

Si kishte mundësi që Shërbimi Inteligjent të mos ia ofronte informacionet për arrestimin e agjentëve serb, në përpjekjen e tyre për të krijuar dëshmi të rrejshme rrëfimore ndaj UÇK-së, duke u ofruar familjarëve të serbëve të zhdukur nga 20 mijë deri në njëqind mijë euro.

Branisllav Nikoliq, i kishte shpëtuar arrestimit në vitin 2009, kur me pompozitet medial u nxorën para kamerave tre agjentë tjerë të pretenduar të BIA-s, Milutin Radanoviç (1957) nga Beogradi dhe Predrag Zheljkoviç (1976) nga Novi-Sadi, dhe Igor Juçinac pjesëtar i Policisë së Kosovës nën dyshimin se u kishin ofruar familjarëve të serbëve të zhdukur nga 20 mijë deri në njëqind mijë euro për të bërë dëshmi të rrejshme kundër UÇK-së.

Po a kishte mundësi që Thaçi të mos e dinte se çfarë kishte ndodhur me vëllain e mikut të tij të ngushtë, Bratisllav Nikoliqin, që po ashtu nuk mund të konsiderohet tjetër veçse një shërbëtor direkt i Serbisë, si përfaqësues i strukturave paralele.

Pak kohë para se Branisllavi të emërohej këshilltar i presidentit Thaçi, vëllai i tij Bratisllav Nikoliç, kryetari i komunës së Shtërpcës, dhe zyrtari i prokurimit në atë komunë, Agim Rexhepi, qenë shpallur të pafajshëm nga Gjykata Themelore e Ferizajt, pas akuzave për shpërdorim të detyrës zyrtare, dhe dëmtim të buxhetit.

Ata akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare për një tender për ndërtimin e banesave kolektive në Komunën e Shtërpcës.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë se në tenderin prej 1.516.000 euro kanë lidhur edhe një aneks kontratë tjetër në vlerë prej 346.674 euro për kryerjen e punimeve duke e tejkaluar vlerën e lejuar prej 10 për qind të kontratës bazë, në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik.

Ata qenë liruar nga trupi gjykues me arsyetimin se “veprën penale e kanë kryer në lajthim faktik dhe juridik”. Pra, një lloj shfajësimi i paparë, por që ndodhë në vendet ku nuk ka zbatim të rendit dhe ligjit.

Ndoshta, Prokuroria speciale mund ta rihapë këtë çështje, duke kërkuar zbulimin e të dhënave të reja, se si ka përfunduar realizimi i tenderit, nëse janë fshehur dyshime të tjera.

Image
Bratisllav Nikoliç mik i ngushtë i Thaçit, i emëruar nga Vuçiqi kryetar i strukturave paralele në Shtërpcë

Është e habitshme, se miku i Thaçit Bratisllav Nikoliq ishte i emëruar për kryetar të Shtërpcës nga vetë Aleksandër Vuçiqi, atëherë kryeministër i Serbisë, sipas një vendimi të nxjerrë në fund të vitit 2014. Ky ishte një prej skandaleve në pushtetin lokal, që një kryetar legal në Kosovë përfaqësonte edhe strukturat ilegale të Serbisë.

Po ashtu ai ishte kryetar i Shtërpcës, tashmë dy mandate sipas sistemit të Kosovës, por edhe sipas sistemit të Serbisë. Ndërsa, tashmë është zgjedhur kryetari i ri, nga po e njëjta parti, Lista serbe.

Firma “Geo mineral” dhe bashkëpunimi me strukturat paralele në Shtërpcë

Po ndërsa, mediat kanë raportuar se ai ishte mik i Hashim Thaçit, askush nuk e ka theksuar origjinën e asaj miqësie ‘të ngushtë’. Se nga lindi, si u krijua kjo miqësi është e habitshme, një djalë Drenice me një nga Shtërpca, që është i lindur në Gjilan, as pa studiuar bashkë, as pa shkuar në punë në perëndim bashkë. Bashkëpunimi i afërt me një agjent të BIA-s, dhe miqësia me një kryetar komune të strukturave paralele të Serbisë, a nuk e bëjnë të dyshimtë shërbimin e presidentit Thaçi, atëherë!

Bratislav Nikoliq është edhe anëtarë i kryesisë së Listës serbe, dhe se të paktën njëherë ka marrë pjesë në një takim në Gjermani në vitin 2019 ku e kanë diskutuar çështjen e taksës 100%, Mathias Lutenberg.

Është e habitshme po ashtu se si ndodhi që pikërisht në Shtërpcë, vëllai i Hashim Thaçit, në komunën që qeverisej nga miku i tij serb, të privatizonte mbi 30 hektarë tokë, edhe atë me një çmim thuaja simbolik, raportonin mediat proqeveritare pak ditë para arrestimit të Thaçit.

Firma “Geo mineral” me drejtor Idriz Thaçin, fillimisht kishte privatizuar 164 mijë metra katror për 45 mijë euro, dhe më pas po kjo kompani privatizoi edhe 142.5 mijë metra katror me 38 mijë euro. Pra, kishte blerë tre mijë ari tokë për 83 mijë euro, përkatësisht 27.7 euro për një ari tokë, që nënkupton të blesh një parcelë për shtëpi, me 3 ari tokë, me 52 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat