Sot festa e pavarësisë/ Ja fjalët e para të Ismail Qemalit në vitin 1912 që ngritën peshë zemrat e shqiptarëve

Aktuale

Sot festa e pavarësisë/ Ja fjalët e para të Ismail Qemalit në vitin 1912 që ngritën peshë zemrat e shqiptarëve

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 08:55
Më 28 nëntor 1912, Ismail Bej Vlora shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, pas 5 shekujsh robëri nga pushtuesit Osman.

28 nëntori shënon ditë festive për të gjithe shqiptarët kudo që ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Greqi, Mali i Zi, Serbi, e më tutje në të gjithë Europën dhe botën.

Më 28 nëntor 1912, Ismail Bej Vlora shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, pas 5 shekujsh robëri nga pushtuesit Osman.

Deklarata e Pavarësisë u nënshkrua nga 40 firmëtarë. Ky akt më pas i hapi rrugën krijimit të qeverisë së Përkoshme të Vlorës.

Mirëpo 28 nëntori nuk u zgjodh rastësisht nga ‘Plaku i Urtë’ i Vlorës për të ngritur flamurin kuq e zi dhe për t’i dhënë fund zgjedhës otomane.

Pikërisht në datë 28 nëntor 1443, Heroi Ynë Kombëtar, kryetrimi i shqiptarëve sicc e quan Ismail Qemali, ngriti flamurin kuq e zi në Krujë, duke cliruar kështu Shqipërinë nga turqit.

Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit (3 nëntor), Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve. Shembulli I tij nxiti thuajse të gjithë princat shqiptarë të ngriheshin kundër sundimit osman; në përpjekje për bashkim forcash, më 2 mars 1444, Skënderbeu i thirri ata në Lezhë për një kuvend ku pavarësisht nga grindjet mes tyre, themeluan një bashkim, i njohur në histori si Lidhja shqiptare e Lezhës. Fitorja e parë e Skënderbeut në krye të ushtrisë së Lidhjes ishte beteja e Torviollit më 1444, e cila shënoi fillimin e më shumë se 20 vjet luftë me perandorinë osmane. Forca e Skënderbeut arritën më shumë se 20 fitore në fushë-betejë dhe përballuan 3 rrethime të kështjellës së Krujës, që u udhëheqën nga vetë sulltanët. Në vitin 1451, Skënderbeu pranon de jure sovranitetin e Mbretërisë së Napolit, duke nënshkruar Traktatin e Gaetas, për të siguruar një aleancë mbrojtëse ndaj osmanëve, megjithëse de facto ai mbeti sundimtar i pavarur. Në vitin 1460-1461, Skënderbeu mori pjesë në luftërat civile të Italisë në përkrahje të Ferdinandit të Napolit. Më 1463, ai u caktua komandant i përgjithshëm i forcave të kryqëzatës së shpallur nga Papa Pius II, por Papa vdiq ndërsa trupat ishin ende në procesin e grumbullimit, kështu që sipërmarrja u ndërpre. Së bashku me venedikasit, Skënderbeu luftoi në Luftën osmane – veneciane (1463-1479), deri në vdekjen e tij më 17 janar 1468.

Ndërsa në të njëjtën ditë 463 vite më vonë, Ismail Bej Vlora shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës, duke treguar se shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të rrinë nën zgjedhe turke përgjithmonë.

Fjalimi i plotë i Ismail Qemalit në ditën e shpalljes së pavarësisë

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.

Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).
Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.

Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.

Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri!

Rroftë Shqipërija!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat