Shpresat nuk vriten nga kriminelët, por prej atyre që i mbështesin ata!

Aktuale

Shpresat nuk vriten nga kriminelët, por prej atyre që i mbështesin ata!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 29 nëntor 2021 Në ora: 12:56
Foto ilustrim nga një atentat në Tiranë

Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të veprojnë pa strategji të mirëfilltë kombëtare, madje as shtetërore. Shqipëria është e kënaqur nga arritja e objektives së parë, hyrjes në NATO, ndërsa hyrjen në BE e sheh si një proces të pashmangshëm, me idenë se një ditë do të jetë pjesë e saj, deshi apo nuk deshi Europa.

Kosova duke u qeverisur pas Pavarësisë nga grupe politike që kryesisht vepronin dhe e shfrytëzonin shtetin dhe çdo mjet për interesa personale e grupore, duke përdorur me efikasitet mekanizmin e SHIK-ut, që vetëm në letër është i shuar, nuk ka ndërtuar asnjë strategji.

Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, që nuk janë vetëm në partinë e tij, por edhe në LDK e AAK, ia kishte dorëzuar shtetin stihisë politike.

Strategjitë e ripërtërira serbe

Serbia duke pasur strategji gati prej dy shekujsh ndaj shqiptarëve, duke i ripërtërirë strategjitë në varësi të rrethanave të reja, dhe gjithnjë duke kërkuar mbështetje të reja, edhe atje ku ishte e refuzuar më parë, 21 vjet pas luftës në Kosovës, ajo thuajse i ka kthyer të gjitha vendet mike të Kosovës dhe pavarësisë së saj, në anën e vet. Kështu duke e bërë më të pranueshme kërkesën e saj, që mund të përmblidhet në formulimin: ‘nuk paqe në Ballkan, pa e njohur Kosovën, dhe nëse doni që kjo të ndodhë – Kosova duhet të na jap territor’!

Ndërsa, ne ende nuk mund të merreshim vesh se nëse Kosova po humbte apo do të ndahej ‘barazim’ (me territor) nga Serbia, organizimi politik partiak u kthye në dy palë: kundërshtarët e ndarjes së Kosovës, dhe mbështetësit e saj. Rolin më negativ sa i përket potencialit e luajti Isa Mustafa me një pjesë të LDK-së, duke ua humbur shpresat dhe besimin njerëzve tek kjo partie, e identifikuar me Ibrahim Rugovën, si një lëvizje jo vetëm që udhëhoqi procesin e bërjes së shtetit, por edhe të misionit për ta ruajtur e zhvilluar atë.

Sa i përket rolit negativ e destruktiv të Thaçit në këtë proces, nuk ka pse diskutohet. Shpresat nuk vriten nga kriminelët, por prej atyre që i mbështesin ata, dhe për shumë kohë janë shfaqur si të ndershëm!

Por, çfarë po bën Serbia?

Siç vlerëson humanistja serbe, Sonja Biserko, Serbia është duke pritur me shpresë se në SHBA pas tri vitesh do të mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, ish presidenti Tramp.

Ndërsa, siç e përcakton strategjinë e Serbisë vetë lobisti i saj britanik, Timothy Less, ajo po pret që të marrë maksimumin (nga Kosova), sepse duke iu referuar analizës së tij, ajo e ka në dorë fatin e Bosnjës, meqë edhe vetë perëndimi nuk është përfundimisht i interesuar që ta ruajë Shtetin trepalësh të Bosnjës. Ajo sipas tij në strategjinë e saj po pret, ndryshimin e më shumë faktorëve, në mënyrë që ajo as të mos fajësohet për ndarjen e Republikës serbe nga Bosnja, as të mos shkaktojë konflikt, por që kjo të ndodhë si dhuratë për të, me kushtin që perëndimi ta largojë nga kthetrat ruse.

Duke iu referuar burimeve të tij, ai në fund të vitit 2020 shkruante, se ndarja e Kosovës është pranuar nga Uashingtoni. Pra, e merrte fakt të kryer, meqë atje ende ishte në pushtet Tramp. “...risia e tretë – fundin e angazhimit të Uashingtonit për të mbështetur multietnicitetin në Ballkan, pas marrëveshjes së tij për ndarjen e Kosovës. Pjesërisht, kjo është një çështje praktike: Uashingtoni tani pranon se nëse Serbia do ta njohë Kosovën, do t'i duhet diçka në këmbim, siç është veriu i vendit të dominuar nga serbët”, shkruante Timothy Less është duke udhëhequr projektin kërkimor "Disintegrimi në Evropë" në Qendrën për Gjeopolitikën dhe Strategjinë e Madhe në Universitetin e Kembrixhit.

Me ardhjen e presidentit Biden, u ndryshuan gjërat, dhe duket se Kosovës i është kthyer mbrojtja e tërësishme nga SHBA-të.

Por, nuk ka llogari të përjetshme, ndërsa njerëz si unë inkurajojnë institucionet që marrëveshjen me Serbinë ta përmbyllin gjatë presidencës Biden, institucionet ende nuk kanë hartuar një strategji dalëse, përveç se refuzimit për një asociacion që bosnjëzon Kosovën, gjë që nuk duhet pranuar asgjë antikushtetuese, dhe të përcaktuar nga Gjykata.

Të kundërtën po e bën Serbia, pikërisht duke e zvarritur procesin, me shpresë për ndryshimin e gjërave edhe në presidencën Biden, dhe nëse këtë nuk e arrijnë tani, shpresojnë në një presidencë të re. Por, ata gjithnjë kanë një strategji. Nëse as Biden nuk lëviz, dhe as ai nëse do të ketë një mandat të dytë, Serbia do ta përdorë Republikën Serbe të Bosnjës, për ta mbajtur ‘peng’ perëndimin rreth zgjidhjes së problemit atje, ndërsa këta vetë në Beograd e kanë zgjidhjen, por do të shantazhojnë me përforcimin e lidhjeve me Rusinë, veçmas, por edhe me Kinën.

“Të huajt, jo boshnjakët, janë pengesa kryesore e serbëve”, thotë Timothy Less lobisti i Serbisë nga Britania e Madhe.

Investimi marramendës ushtarak

Në këtë kontekst Serbia tashmë e ka të ndërtuar strategjinë politike, edhe me faktorin kyç, të sigurisë. Serbia po pretendon të kthehet në fuqi ushtarake dominuese të gjithë rajonit. As më pak as më shumë, ajo tash vlerëson se ka rreth 70% fuqi ushtarake më shumë se sa katër shtete së bashku, Kroacia, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja. Por, e pakënaqur me këtë superioritet ushtarak, ajo ka hartuar strategjinë, për ta pasur dyfishin e forcës ushtarake të katër shteteve ballkanike, që ajo i sheh si armike. “Analizat tregojnë se tani jemi në rreth 65-70% të fuqisë në raport me forcat e armatosura të kombinuara të Kroacisë, Bosnjës, Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, kjo nuk është mjaftueshëm mirë. Strategjia e re synon ta sjellë ushtrinë serbe në të paktën 110% të fuqisë ushtarake krahasuar me këto 4 vende në vitet e ardhshme” – shkruajnë mediat serbe që citojnë dokumentin.

Pra, Serbia po përgatitet ushtarakisht, dhe në çdo variant të shtypë interesat e shqiptarëve, pa pasur asnjë kundërstrategji nga shqiptarët, që fatin e tyre po ia lënë stihisë sërish, me objektiv kryesor mirëqenien personale, dhe pa kujdes për shtetet e tyre!

Prandaj, ka aq shumë krime dhe dhunë në Shqipëri, dhe jo pak edhe në Kosovë, si vrasja e tmerrshme që ndodhi në prag të Ditës së Flamurit, si për ta njollosur qëllimisht!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat