U lirua nga aktakuza, flet Haki Rugova tregon për të ardhmen e tij politike

Aktuale

U lirua nga aktakuza, flet Haki Rugova tregon për të ardhmen e tij politike

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 17:54
Haki Rugova

Aktgjykimi lirues i Gjykatës së Apelit ndaj Haki Rugovës nuk e ka befasuar të pandehurin.

Ish-kryetari i Komunës së Istogut, që u akuzua vitin e kaluar për korrupsion nga Prokuroria e Shtetit, ka thënë se gjatë gjithë procesit gjyqësor ka besuar se çështja do ta marrë këtë epilog.

Në një bisedë telefonike ai u shpreh se e ka pritur këtë aktgjykim, pasi ka besuar në pafajësinë e tij.

“Unë e kam kuptuar prej mediave aktgjykimin lirues timin nga aktakuza, sepse nuk e kam pranuar ende vendimin. E kam pritur këtë aktgjykim gjatë gjithë procesit, pasi kam besuar në pafajësinë time”, ka thënë Rugova.

Aktakuza e ngritur ndaj Rugovës në fundin e mandatit të tij si kryetar i Komunës së Istogut, sipas Rugovës ka qenë e motivuar politikisht. Por, ai thotë se ky proces gjyqësor nuk do të ndikojë në të ardhmen e tij politike.

” gjithë qëllimi i akuzave ndaj meje ka qenë aty [tek angazhimi im politik], por unë do të vazhdoj të jem i angazhuar si kryetar i Degës së LDK-së në Komunën e Istogut”, ka thënë Rugova.

Gjykata e Apelit e ka liruar nga aktakuza ish-kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili nga Gjykata Themelore në Pejë ishte dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1 viti, për konflikt interesi në nënshkrimin e tenderit për vëllanë e tij.

Sipas aktgjykimit rezulton Gjykata e Apelit ka gjetur se në veprimet e Rugovës nuk kishte dashje për kryerjen e veprës penale, pasi nënshkrimi i tij nuk mundësoi realizimin financiar për dhënien e tenderit.

Rugova akuzohej se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 300 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat