10 të arrestuar nga aksioni i Policisë, përfshirë ish kryetarin e komunës së Shtërpcës

Aktuale

10 të arrestuar nga aksioni i Policisë, përfshirë ish kryetarin e komunës së Shtërpcës

Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 08:42
Ilustrim

(E plotësuar 14:51) -  Sveçla: Do ta luftojmë krimin në çdo pjesë të Kosovës
 

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksionit të sotëm policor "Brezovica" në Shtërpce.

Në një postim në Facebook, Sveçla shkruan se sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës.

“Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”, shkruan ai.

Ndryshe, në aksionin “Brezovica” janë arrestuar 10 persona nën dyshimin për keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit. Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, për të cilin Prokuroria po dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës.

Për këtë rast janë bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione.

Postimi i plotë:

Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës.

Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore.

Si Ministri e Punëve të Brendshme bashkë me Policinë e Kosovës, mbesim të përkushtuar të ofrojmë siguri, rend dhe ligj për gjithë qytetarët tanë. Shkelësit e ligjit do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës.

Pamje nga banesa e bastisur e ish-kryetarit të Shtërpcës

Ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, është në mesin e 10 personave të arrestuar për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Policia e Kosovës gjatë aksionit ka kryer edhe bastisje, teksa janë siguruar pamje nga bastisja e banesës së Nikoliqit.

Image

Aksioni që është duke u zhvilluar ka të bëjë me veprat penale të korrupsionit rreth ndërtimeve pa leje në Brezovicë. Ndalohen 10 persona lidhur me aksionin në komunën e Shtërpcës

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë janë duke e zhvilluar një aksion në komunën e Shtërpcës.

Lidhur me këtë aksion deri më tani me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar dhjetë (10) persona të dyshuar, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtar të tjerë dhe pronar të firmave, për shkak të dyshimit të veprave penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Për të gjitha zhvillimet tjera lidhur me këtë aksion do të njoftoheni me kohë nga ana e Prokurorisë. 

Aksion i Policisë edhe në Prishtinë

Krimet Ekonomike brenda Policisë së Kosovës janë duke zhvilluar një aksion të gjerë në kundër korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.

Por, aksioni është duke u zhvilluar edhe në Prishtinë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Policia e Kosovës ka në proces një operacion policor në rajonin e Ferizajt dhe të Prishtinës, dhe tani për tani nuk mund te japim informacione tjera. Pas përfundimit të operacionit do të njoftoheni për detaje tjera”, tha Hoxha.

***

Policia e Kosovës përkatësisht njësia e Krimeve Ekonomikë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, janë duke zhvilluar një aksion në gjerë kundër korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.

Jashari bëri të ditur se aksioni është në fazën e parë të zhvillimit dhe deri tani janë bastisur tetë lokacione.

“Aksioni është në fazën e parë të zhvillimit dhe ka të bëjë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pra ryshfet. Deri tani nuk ka të arrestuar pasi jemi në fazën e parë. Por, bastisjet janë duke vazhduar, deri tani janë bastisur tetë lokacione”, deklaroi Jashari.

Kujtojmë se aksioni që është duke u zhvilluar dyshohet se ka të bëjë me veprat penale të korrupsionit me ndërtimet pa leje në Brezovicë.

Krimet Ekonomike me aksion për ndërtimet në Brezovicë

Policia e Kosovës përkatësisht njësia e Krimeve Ekonomikë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, janë duke një aksion në gjerë kundër korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.

Burime brenda Prokurorisë në Ferizaj kanë bërë të ditur se deri tani janë bastisur disa lokacione.

Aksioni i Policisë së Kosovës është duke u zhvilluar në dyshimet për korrupsion me ndërtimet në Brezovicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat