Ish truproja tregon momentin e atentatit me eksploziv/ Kështu kishte reaguar Rugova – Ja kush i ka faktet për vrasjet

Aktuale

Ish truproja tregon momentin e atentatit me eksploziv/ Kështu kishte reaguar Rugova – Ja kush i ka faktet për vrasjet

Nga: P.R Më: 17 janar 2022 Në ora: 18:35
Xhevat Dajaku në ditën kur u bë atentati ndaj Presidentit Rugova me eksploziv, Prishtinë, 15 mars 2005

Ish truproja e Ibrahim Rugovës, Xhevat Dajaku, në intervistën ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, ndër tjerash ka folur edhe për atentatin e ndodhur ndaj Rugovës me eksploziv më 15 mars të vitit 2005.

“Në ditën e sulmit me eksploziv kam qenë në veturën para veturës ku ndodhej Presidenti, ulur mbrapa në mes dy kolegëve tjerë. Kur ka shpërthyer eksplozivi ka qenë një detonim shumë i fuqishëm, dhe nga presioni i ajrit na është lëkundur fort vetura, aq fort sikur të na godiste ndonjë makinë. Dikush aty pyeti se çka ndodhi, mua ma mori mendja dhe thashë se jemi sulmuar me ndonjë granatë ose me mortajë, për eksploziv s’ma ka marrë mendja. Kemi dale shpejt prej veture dhe kemi formuar një rreth sigurie. Menjëherë morëm vesh se Presidenti dhe njerëzit që ishin me të ishin mirë falë shkallës së lartë të blindimit që e kishte vetura”, ka thënë Dajaku.

Sipas tij, sulmi me eksploziv ndaj Ibrahim Rugovës ishte akt terrorist.

“Në ato çaste jemi ndje mirë që nuk ndodhi ndonjë e keqe në njerëz. Ishte, si me thënë, një lindje e dytë, sepse, sikur eksplozivi të godiste ndonjë makinë tjetër apo makinën tonë që s’kishte blindim, ose ndonjë kalimtar rasti, do të kishte ndodhur më e keqja. Unë e cilësoj si akt terrorist sulmin e atëhershëm me eksploziv. Presidenti, pasi mori vesh se jemi edhe ne mirë, na thirri për qetësi dhe vetëpërmbajtje, ashtu si e kishte zakon. Presidenti Rugova ishte njeri shumë këmbëngulës, as shpërthimi i eksplozivit që e goditi makinën ku ishte ai s’e ndaloi për në takimin që ishte nisur, ku pritej të takohej me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme Havier Solanen, siç shihet edhe në mediat e atëhershme. Ishte këmbëngulës dhe nuk tërhiqej për asnjë gjë. U mahnitëm me qëndrim e tij! Ishte si askush tjetër”, ka deklaruar Xhevat Dajaku në intervistën për “Bota sot”.

Ndër tjerash, Dajaku ka thënë se ndërkombëtarët kanë fakte për vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë, por që janë penguar në zbulimin e tyre.

“Misionet ndërkombëtare nuk kanë dështuar për zbardhjen e rasteve të tilla. Ata kanë mbledhur të dhëna dhe posedojnë fakte, por janë penguar në një mënyrë nga strukturat kriminale që ishin vendosur nëpër vendet kyçe të shtetit të Kosovës. Këto struktura janë krijuar me një kujdes të shtuar të faktorëve relevant, të cilët arritën pushtet pa limit në vendin tonë. Unë besoj se ndërkombëtarët kanë fakte për vrasjet politike dhe duhet ta çojnë deri në fund drejtësinë. Kuptohet se edhe nga ta ka që iu pëlqejnë peshqeshet nga këta "kapadainjtë" e Kosovës, të cilët e kanë buxhetin e tyre privat ma t'madh se buxheti i shtetit të Kosovës, të cilin buxhet - pasuri po këtij shteti ia kanë vjelë”, është shprehur Dajaku.

Sipas tij, Gjykata Speciale është shpresa e vetme për zbulimin e vrasjeve politike.

“E vetmja shpresë që na ka mbetur për zbardhjen e vrasjeve të familjarëve tanë, deshëm apo s’deshëm, është te kjo gjykatë. Vetëm te kjo gjykatë ka ngelur shpresa për drejtësi, sepse gjykatat tona, prokurorët dhe të gjitha subjektet tjera relevante nuk kanë bërë asgjë që të zbulohen vrasjet politike tash e 20 vjet, bilës dyshoj shumë se kanë punuar dhe punojnë në të kundërtën, dhe janë, siç thashë më lartë, elemente të vendosura me kujdes në kapjen e çdo pore të institucioneve të shtetit tonë”, ka thënë në intervistën dhënë për “Bota sot”, ish truproja e Ibrahim Rugovës, Xhevat Dajaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat