Gëzim Sveçla thotë se emëruan drejtorë partiakë: Rama humbi betejën brenda LDK-së

Aktuale

Gëzim Sveçla thotë se emëruan drejtorë partiakë: Rama humbi betejën brenda LDK-së

Më: 20 janar 2022 Në ora: 00:19
Gëzim Sveçla

Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, ka thënë se ka pak pritshmëri nga kabineti qeverisës i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Ai ka thënë se ky skepticizëm s’ka të bëjë me emra personalë të drejtorëve që Rama prezantoi sot, por me projektin e Ramës.

“Kjo u dëshmua qysh në fillim, që përveçse brengosës, ishte dëshpërues, për të gjithë ata votues të Ramës. Ka kaluar një kohë bukur e gjatë dhe s’kemi lëvizje në projekte, me të cilat Rama ka arritur të fitojë”.

Sveçla, në Edicionin Special, tha se pret që të kompletohet sa më shpejt ekzekutivi dhe të shohin punën që do të bëjnë ata për Prishtinën.

Por, ai dyshon se Rama nuk mundi t’i bëjë ballë partisë së tij për të emëruar në pozita njerëz që e meritojnë dhe jo nga partia.

“Duket që Rama e ka humbur një betejë personale brenda subjektit, për shkak se shumica e drejtorëve të emëruar janë në një kohë të gjatë në LDK dhe bie në kundërshtim me atë që Rama deklaronte gjatë fushatës se kriteri profesional do të jetë përcaktuar ne emërimin e drejtorëve. Unë mendoj se në këto emërime më shumë ka ndikuar kriter partiak, gjithsesi që ka emra të dëshmuar, për të cilët shpresoj që profesionalizmin e tyre ta vënë në shërbim të Prishtinës”.

Ndërkaq, për emërimin e vajzave të Anton Çettës dhe Enver Malokut në drejtori, Sveçla tha se shpreson që këto emërime nuk janë bërë në aspektin sentimental, sepse “Prishtina ka shumë probleme dhe ka nevojë për profesionalizëm”.

Megjithatë, ai tha se mbetet për t’u parë e vlerësuar puna e drejtorëve të rinj të Prishtinës.

Sveçla u tregua kritik për partnerin e koalicionit të Ramës, PDK-në.

“Në bazë të asaj që dëgjohet, PDK ka probleme të brendshme në emërimin e drejtorëve dhe gjthë kjo po rezulton me telashe në dëm të qytetarëve të Prishtinës. S’kemi të emëruar drejtor të arsimit derisa nuk e dimë se cilat shkolla do të kalojnë online. Nuk është koalicion i parimeve dhe projekteve, por të interesave të ngushta, që faturën do ta paguajë qytetarët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat