Latifi: Nëse Perëndimi i lëshon udhë Rusisë në Ukrainë, fatin e saj e presin edhe 3 shtete tjera - çka përfitojnë shqiptarët në dramën e madhe

Aktuale

Latifi: Nëse Perëndimi i lëshon udhë Rusisë në Ukrainë, fatin e saj e presin edhe 3 shtete tjera - çka përfitojnë shqiptarët në dramën e madhe

Nga: A.ZH Më: 23 janar 2022 Në ora: 09:10
Blerim Latifi

Profesori universitar i Filozofisë Blerim Latifi, ka folur për tensionet aktuale që po ndodhin mes Rusisë dhe Ukrainës. Ai ka thënë se qëllimi i Rusisë, është rifutja e ndikimit të saj të plotë në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik, përcjell Bota sot.

Sipas tij, nëse shtetet Perëndimore i lëshojnë udhë Rusisë në Ukrainë, fatin e saj shpejt do ta pësojnë tri shtetet baltike, Letonia, Lituania dhe Estonia. 

Latifi ka thënë se apetiti i Rusisë është edhe Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Në dramën e madhe, sipas profesorit, shqiptarët mund të përfitojnë një rrugë të shkurtuar të integrimit të plotë në botën perëndimore.

Reagimi i tij në Facebook:

Historia politike e njerëzimit na tregon se është në natyrën e shteteve të mëdha krijimi i zonave të influencës jashtë territorit të tyre. 

Ajo çfarë po bën Rusia aktualisht është një përpjekje e madhe për të rifutur nën influencën e saj të plotë territoret e ish Bashkimit Sovjetik. Ukraina, e cila hapur ka anuar kah Perëndimi, po goditet pikërisht për këtë qëllim. 

Nëse Perëndimi i lëshon udhë Rusisë në Ukrainë, fatin e saj shpejt do ta pësojnë tri shtetet e vogla baltike, Letonia, Lituania dhe Estonia. 

Por apetiti rus nuk përfundon në kufijtë e ish Bashkimit Sovjetik. Ai ëndërron edhe zonën ballkanike të influencës ruse, të cilën e kishte Rusia Cariste deri në Luftën e Parë Botërore. Kryengritja e Dodikut në Bosnjë, turmat proserbe që po kërcënojnë rrugëve në Mal të Zi, blerja e vazhdueshme e armëve të reja nga Serbia, janë lëvizje të frymëzuara nga ky apetit gjeopolitik rus. 

Europës së përgjumur nga ëndrra tridekadëshe e Rusisë paqësore, duket se ende nuk po i besohet ajo çfarë po ndodhë në dyert e saj. 

Putini po ndjek të njëjtën rrugë si Hitleri dikur. Madje edhe motivi është i njëjtë. Njësoj si Hitleri, Putini ka bindjen se rendi liberal perëndimor është i diskredituar dhe ky është momenti i duhur kur duhet t'i jepet edhe një goditje vdekjeprurëse. 

Ku jemi ne në këtë dramë të madhe? 

Rikthimi i armiqësive midis Rusisë dhe Perëndimit e bën shumë të rëndësishëm pozicionin e shqiptarëve në Ballkan dhe nga kjo shqiptarët mund të përfitojnë një rrugë të shkurtuar të integrimit të plotë në botën perëndimore. Kuptohet nëse në ndërkohë nuk shpërthen mes nesh ndonjë prej atyre marrëzive që dimë t'i bëjmë veç ne në momentet e kthesave të forta historike.

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat