Deputeti nga LVV vjen me një porosi për opozitën ndaj thirrjeve për rrëzim të qeverisë Kurti

Aktuale

Deputeti nga LVV vjen me një porosi për opozitën ndaj thirrjeve për rrëzim të qeverisë Kurti

Nga: M.H. Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 14:26
Qeveria e Kosovës

Kohëve të fundit thirrjet për të rrëzuar qeverinë Kurti janë shumë aktive.

Së fundmi ai që përmendi këtë thirrje ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nëse do të ketë ndonjë mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti, AAK do t’i bashkohet.

Qeverinë e parë Kurti nuk e kemi rrëzuar ne, ne ju kemi bashkuar një vote kundër se jemi opozitë, nesër nëse ka një mocion për rrëzimin e kësaj Qeverie ne i bashkohemi. Nuk e kemi fuqinë ne me i shpallë zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj.

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” ka folur deputeti i LVV-së, Agon Batusha, i cili u shpreh se këto thirrje janë qesharake dhe shpërfaqin inatet personale ndaj kryeministrit Kurti.

“Pikërisht thirrjet e tilla pa ndonjë arsye të fortë, bëhen qesharake dhe shpërfaqin inatet personale ndaj z. Kurti. Situata nuk është stabile në Evropë për shkak të konfliktit mes Rusisë me Ukrainës, rrjedhimisht krizën që ky konflikt e ka prodhuar, atë të furnizimit me gaz, që ka sjellë krizën energjetike në mbarë Evropën”, u shpreh ai.

Më tej deputeti numëron një sërë reformash që janë bërë përgjatë 10 muajve që nga zgjedhja e qeverisë.

Pra, kur kanë kaluar vetëm 10 muaj që nga zgjedhja e Qeverisë së z. Kurti, ku është shënuar progres i pashoqë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, ku kemi ndërmarrë një sërë reformash në gjithë sektorët qeveritar dhe kur pritet që pandemia të largohet e të rifillojmë jetën normale, disa individ brenda opozitës parlamentare kanë zgjedhur të bëjë thirrje për revoltë, por quditërisht nuk kanë guximin të dalni në ballë të këtyre organizimeve. Për më shumë që asnjë opsion apo propozim nuk kanë dhënë. Me qëndrimet e disa subjekteve opozitare Kosova do të kishte falimentuar deri më sot”, tha deputeti.

Në fund, ai shton se bashkëpunimi i qeverisë me qytetarët është primar për ne.

I patjetërsueshëm është fakti që qytetarëve duhet t`u jepet mundësia për t`u shprehur dhe për t`u dëgjuar nga institucionet. Këtë po e bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, përfundoi Batusha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat