Kurti ripërsërit qëndrimin për Asociacionin: S’mund të krijojmë diçka të re që na e rrënon rendin juridik dhe kushtetues

Aktuale

Kurti ripërsërit qëndrimin për Asociacionin: S’mund të krijojmë diçka të re që na e rrënon rendin juridik dhe kushtetues

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 21:02
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur sërish qëndrimin se nuk mund të ketë Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.

Shefi i qeverisë tha se Serbia ka refuzuar propozimet e Kosovës të cilat thotë se i bëri gjatë dy takimeve, të ndërmjetësuara nga BE-ja, me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

“Unë kam qenë shumë aktiv në bisedimet e zhvilluara në Bruksel me presidentin e Serbisë – edhe më 14 qershor edhe më 19 korrik të vitit të kaluar. Unë kam bërë propozime, njëri ka qenë për reciprocitetin e të drejtave të pakicave dhe kam marrë shembullin që Serbia ka në territorin e saj ku krijon këshillat nacionale për pakicat kombëtare dhe kemi thënë që nëse Serbia mjafton që kjo është e mjaftueshme për pakicat kombëtare po e zbatojmë edhe ne në Kosovë. Reciprociteti është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Është refuzuar”.

“Në anën tjetër kam propozuar edhe Deklaratë të Paqes për mossulmim. Duhet të flasim për paqe tash kur armatosjet e shteteve kanë filluar të bëhen lajm botëror dhe aq më tepër kur kemi parasysh agresivitetin e Federatës Ruse. Edhe kjo gjë është refuzuar. Nuk është e saktë të thuhet që vetëm Kosova po refuzon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kosova e ka Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe gjithashtu e ka edhe në Kushtetutën e saj të normuar se çka janë të drejtat e komuniteteve joshumicë që janë sipas standardeve më të larta evropiane dhe shumë më tepër se aq, por është Serbia ajo që ka refuzuar propozimet e Kosovës. Ka refuzuar edhe Deklaratën e Paqes për mossulmim edhe reciprocitetin e të drejtave, pra në vitin e kaluar kemi refuzim të Serbisë dhe jo Kosovës”.

Kurti tha se ndërmjetësuesit e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë kanë respekt për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ata i referohen nganjëherë të kaluarës, megjithatë e pranojnë dhe kanë respekt për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që u publikua më 23 dhjetor të vitit 2015 e që tha se në gjithsej 23 nene të Kushtetutës së Kosovës Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe qysh u nënshkrua në Bruksel nuk është në përputhje me asnjërën prej shtatë kapitujve të vet. Ne nuk mund të krijojmë diçka të re që na rrënon rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës. Le të mos harrojmë që nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të duhej të përfitojë Serbia si shtet, por duhet të adresohen nevojat e serbëve si qytetarë të Kosovës dhe ne nuk kemi ankesa nga serbët e Kosovës për të drejtat dhe nevojat e tyre”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat