Konfirmon Ministria e Tregtisë: Marketet fshehën produktet nëpër depo, rritën çmimet

Aktuale

Konfirmon Ministria e Tregtisë: Marketet fshehën produktet nëpër depo, rritën çmimet

Më: 10 mars 2022 Në ora: 19:16
Ilustrim

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se operatorët ekonomik që merren me shitjen e produkteve kanë manipuluar me çmime, duke i fshehur produktet nëpër depo dhe duke shkaktuar panik tek qytetarët.

Andaj për këtë, nga kjo ministri kanë thënë se po marrin masa.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Inspektoratit të Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera. Sipas të dhënave nga terreni, disa operatorë kanë zbrazur dje raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. Kurse sot kanë rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër. Vaji ushqimor është importuar ditë më parë dhe fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër. Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj”, thuhet në njoftimin e MINT.

Sipas kësaj ministrie, për këto të gjetura, kanë lajmëruar organet e ndjekjes.

MINT gjithashtu ka kallëzuar gjetjet te organet e ndjekjes, për hetimin e veprave penale”.

Gjithashtu kjo ministri ka bërë thirrje tek qytetarët që të “mos bien pre e manipulimeve të tregtarëve të pandërgjegjshëm”.

“Qytetarët nuk kanë nevojë të furnizohen me rezerva të produkteve ushqimore esenciale. Furnizimi me këto produkte është i rregullt, por disa operatorë ekonomikë kanë shfrytëzuar situatën në mënyrë të egër, duke ndjellë panik te qytetarët – njëherë duke fshehur mallin e pastaj duke e rikthyer me çmim tejet të lartë”, thuhet në komunikatën e MINT.

MINT i ka lutur edhe bizneset që të “veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme”.

“Organet kompetente – MINT dhe Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore, Doganën dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës – po vëzhgojnë gjendjen dhe po marrin masat e duhura sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat