Sulmi në veri nga Serbia provokim ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë!

Aktuale

Sulmi në veri nga Serbia provokim ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë!

Nga: Idriz Morina Më: 15 prill 2022 Në ora: 15:02
Foto Ilustrim: Policia e Kosovë në veri

Serbia, sipas vlerësimit zyrtar ka cenuar veçmas mbrëmë dhe sot në mëngjes rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës, nëpërmjet sulmeve me armë, të grupeve kriminale, që ajo i drejton brenda territorit të vendit.

Qeveria dhe Policia e Kosovës, në takim të jashtëzakonshëm me media dëshmuan, se si në vazhdimësi, trupat e sigurisë së Kosovës janë ballafaquar ditëve të fundit me pengesa në rrugë, por mbrëmë dhe sot, edhe me armë zjarri.

Pavarësisht që dy autoritetet në konferencë, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mustafa fajësuan grupe kriminale, nuk shkuan më tej, për ta bërë përgjegjëse drejtpërdrejt Serbinë, e cila edhe ashtu në vazhdimësi është akuzuar për kontrollimin e grupeve kriminale serbe me bazë në veri, e madje ndërkombëtare, si i ka cilësuar edhe Departamenti i Shtetit i SHBA-ve.

“Prej datës 13 i kishim katër sulme ndaj Policisë së Kosovës në mënyrë të sinkronizuar. Kjo na bënë me dije se kemi të bëjmë me një grup të organizuar që ka qëllim të pengojë Policinë e Kosovës. Në sulmin e parë janë vendosur mbi 40 iriq në formë metalike për të penguar patrullat policore. Në sulmin e dytë policët janë sulmuar me gurë, sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë ku 30 fishekë janë gjuajtur ndaj policisë, ndërsa sot janë sulmuar policët me granatë dhe AK 47”, ka thënë Mehmedi.

Sipas tij ky sulm dyshohet se është bërë nga brendësia e territorit të Serbisë.

Ndërsa, sipas ministrit Sveçla Serbia me këto akte po përpiqet ta destabilizojë Kosovën. Por, ende pra jemi ndërmjet dyshimit dhe qëllimit, por jo tek akuza e fajësisë.

Sidoqoftë Serbinë e fajësuan Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës.

Image
Shenjat nga sulmi me armë nga grupe nga Serbia ndaj Policisë së Kosovës

Serbia në panik?

Image
Iriqët metalik për të penguar qarkullimin e Policisë

Dyshim i parë është se provokimet e këtilla nga Serbia, po bëhen pikërisht në momentin që raporti i Departamentit Amerikan i Shtetit, e ka parashtruar si të paqëndrueshme edhe barrikadën e KFOR-it në urën e Ibrit në Mitrovicë, që nuk lejon kalimin e automjeteve, edhe pse kjo lejohet në dy urat tjera.

“Ura kryesore që lidh Mitrovicën Veri dhe Jug mbeti e mbyllur për qarkullim të automjeteve, gjoja për të parandaluar trazirat civile, por ishte plotësisht e hapur për këmbësorët. KFOR-i dhe policia mbajtën siguri të përhershme në lokacion. Urat e tjera që lidhin dy qytetet ishin plotësisht të hapura”, thuhet në raportin e Departamentit të SHBA-ve për Kosovën për vitin 2021.

Pra, interpretimi i raportit, duke ia kundërvënë lirinë e lëvizjes së automjeteve në dy urat tjera, po mbi Ibër, dhe që po ashtu lidhin pjesën jugore me atë veriore të qytetit, është i paqëndrueshëm argumenti se kjo bëhet: “gjoja për të parandaluar trazirat civile”!

Serbia tashmë ndodhet thuaja në panik, duke e lexuar qartë raportin paraprakisht, dhe duke pasur sinjale të tjera se institucionet e Kosovës të mbështetura nga prania ndërkombëtare këtu, e kanë të domosdoshme, të nisin operacion spastrimi të veriut nga strukturat kriminale, kapjen dhe sjelljen e tyre para drejtësisë të autorëve të krimeve të ndryshme, si dhe duke pasur informacione dhe lëvizje të qarta, si ajo e Kroacisë, se vendi mund të shkojë shpejt drejt anëtarësimit në NATO, ajo i ka përshpejtuar agjendat dhe planet e saj të veprimit.

Prandaj, institucionet e Kosovës, dhe veçmas qeveria duhet ta bëjnë fajtore hapur Serbinë edhe para bashkësisë ndërkombëtare, në institucionet më relevante, si në Uashington, Bruksel, në NATO e BE, në OSBE etj., për sulmet e armatosura ndaj policisë, që për fat rezultoi pa viktima për shkak se ishin duke lëvizur me automjete të blinduara.

Kosova në NATO

Mungesa e lirisë së lëvizjes për shqiptarët mbi urën kryesore mbi Ibër dhe mungesa e lirisë së lëvizjes së shqiptarëve në veri, por si dëshmohet edhe njëherë edhe e vetë institucioneve, pra sulmet e armatosura ndaj policisë, e bëjnë të qartë se gjendja kështu nuk mund të vazhdojë më tej, gati 23 vjet pas çlirimit nga okupimi, që pikërisht ish-okupatori t’i bëjë këto pengesa dhe sulme.

Po ashtu kjo dëshmon se KFOR-i në veri nuk ia ka dalur që të sigurojë liri të plotë të lëvizjes, jo se jo për qytetarët shqiptarë si shumicë absolute me rreth 92-93% të popullsisë, por as për policinë e blinduar!

Ish-komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan me 4 yje, Uesli Klark sapo ka alarmuar sot sërish se Putini nuk e ka ndërmend të ndalet, sepse ai po e ndjek doktrinën pushtuese të diktatorit rus Stalinit, i cili ishte i pamëshirshëm dhe pushtoi thuaja gjysmën e Europës. Klark beson se nëse nuk ndalet Putini, ai pavarësisht çmimit, e shprehur me pashpirtësinë e tij, do t’ia mësyjë Europës Lindore dhe vetë Gjermanisë.

“Putini beson se po e ndjek librin e lojërave të Stalinit - nëse në fillim humbisni, zëvendësoni gjeneralët, pastroni stafin, merrni ndihmë nga jashtë, bëni luftë të pamëshirshme dhe më të pashpirt (pamëshirshme). Dhe mendoni mirë - Stalini e fitoi të gjithë Evropën Lindore dhe gjysmën e Gjermanisë - Putini nuk dëshiron asgjë më pak”.

Që në ditët e para të fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Këshilltari për siguri dhe oficeri i inteligjencës ruse, Nikolai Patrushev, pat deklaruar se ai do të bisedonte me autoritetet e Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve të Vuçiqit me Putinin!

Alarmi i gjeneralit Klark duhet të lexohet në kontekst të asaj që kanë paralajmëruar edhe autoritete qendrore të NATO-s dhe BE-së, si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shefi i diplomacisë së BE-së Josip Borelli dhe të tjerë, se njëra nga vatrat e mundshme të krizës nga përhapja e luftës jashtë Ukrainës është Ballkani Perëndimor.

Eksperti gjerman për Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor Martin Henze në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për anëtarësim të Kosovës në NATO, që të mos pritet përkeqësim i gjendjes si në Ukrainë. Ngjashëm e ka përsëritur disa herë dhe së fundi në intervistë për “Bota sot” edhe eksperti austriak Gynther Fehlinger, i cili jep shpresë se Kosova mund të anëtarësohet këtë vit në NATO.

Ngjashëm ka vlerësuar edhe eksperti amerikan Janush Bugajski njohës i shkëlqyeshëm i zhvillimeve në Ballkan, që anëtarësimi i Kosovës në NATO e shpëton Kosovën nga lufta, përkatësisht e eviton një sulm të mundshëm nga Serbia.

Kështu që sipas të gjitha analizave edhe të institucioneve kredibile dhe të mbështetësve të Kosovës, shteti ynë duhet të anëtarësohet në NATO sa më shpejt, madje këtë vit, dhe pastaj të ecë drejt anëtarësimit në BE.

Por, paraprakisht Kosova duhet të tregojë vendosmëri për luftimin e krimit në veri, vendosjen e plotë të rendit dhe ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat