Gjykimi i Mustafës, dëshmon Musli Halimi: Kam dëgjuar për Calin, por nuk kam pasur kontakte me të

Aktuale

Gjykimi i Mustafës, dëshmon Musli Halimi: Kam dëgjuar për Calin, por nuk kam pasur kontakte me të

Më: 20 prill 2022 Në ora: 10:41 Përditësuar në ora: 13:34 më 20.04.2022
Foto nga vendi i ngjarjes

​Dëshmitari: Kam dëgjuar për Calin, por nuk kam pasur kontakte me të

Musli Halimi i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Salih Mustafës ka thënë se këtë të fundit nuk e ka njohur më herët veçse gjatë luftës ka dëgjuar se e mban pseudonimin Cali.

Dëshmitari i mbrojtjes ka thënë para trupit gjykues që nuk ka pasur ndonjë kontakt me Salih Mustafën gjatë luftës. Ai ka rrëfyer për aktivitetin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për çka ka theksuar se ka qenë komandat i qendrës stërvitore në Zllash.

Musli Halimi ka thënë se qendra stërvitore të cilën e drejtonte e ka zhvilluar aktivitetin në një objekt shkolle në Zllash.

Halimi: Kam dëgjuar për Calin, por nuk kam pasur kontakte me të

“Calin nuk e kam njohur më përpara, por gjatë luftës e kam ditur pseudonim Calin, por nuk kam pasur kontakte me të sepse vija komanduese ka qenë e ndarë por kam dëgjuar. Kam qenë komandant i qendrës stërvitore dhe i kam dhënë llogari Brigadës 153”, ka thënë dëshmitari.

Nga avokati mbrojtës Julius Von Bone ai është pyetur edhe rreth njësisë BIA për ekzistencën e së cilës ka thënë se kishte dëgjuar.

Halimi: Kam dëgjuar për njësinë BIA por nuk e di ku kanë qëndruar

“Kam dëgjuar, nuk kam pasur kontakt dhe nuk e di edhe ku kanë qëndrua, por kam dëgjuar që ka pasur një njësit me emërtimin BIA”, ka thënë dëshmitari.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari i 11 i mbrojtjes ka thënë se rekrutët qëndronin në qendrën stërvitore deri në mbarimin e stërvitjeve të tyre pastaj ktheheshin në njësitë prej të cilave kishin ardhur.

Halimi: Rekrutët i kemi përgatitur fizikisht dhe me tema taktike ushtarake

“Ora e parë ka qenë prezantimi i tyre shpjegimi i rregullave të qendrës stërvitore, mandej ka filluar orari i cili ka qenë i përcaktuar. Ne gjithmonë iu kemi përmbajtur orarit. E kam pasur orën unë apo një koleg tjetër, po zakonisht dita e parë ka qenë me mua, jemi marrë me përgatitje fizike dhe disa tema taktike ushtarake, gjërat elementare”, ka thënë Halimi.

Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

​Dëshmitari i mbrojtjes tregon për qendrën stërvitore në Zllash

Dëshmitari i 11 i mbrojtjes së Salih Mustafës në Hagë, Musli Halimi është përgjigjur në pyetjet e avokatit Julius von Bone lidhur me aktivitetin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka thënë se në fshatin Zllash ka shkuar më 15 janar 1999 ku ka qëndruar në një objekt, i cili sipas tij ka shërbyer si qendër stërvitore për ushtarët.

Në pjesën e parë të seancës në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Halimi ka deklaruar se nga viti 1993 ka jetuar në Gjermani prej ku pastaj ka shkuar në Shqipëri në vitin 1998. Nga Shqipëria ai ka thënë se ka shkuar në Zllash, në janar 1999.

Halimi: Nga Shqipëria kam shkuar në këmbë në Zllash

“Kam qenë nga vitit 1993-98 në Gjermani. Prej Gjermanisë kam ardhur në Shqipëri në ’98-ën. Prej Shqipërisë kam ardhur në këmbë deri në Zllash”, ka thënë dëshmitari.

Halimi ka thënë se gjatë bombardimeve të NATO në mars të ’99-së ai ka qenë në Zllash në qendrën stërvitore që sipas tij ishte e vendosur në një objekt shkolle.

Halimi: Objekti i një shkolle në Zllash është shfrytëzuar si qendër stërvitore për ushtarët

“Aty është paraparë të hapet një qendër stërvitore dhe unë jam njohur me ish- komandantin e brigadës Adem Shehun në Tiranë dhe ai ka qenë qëllimi që unë të shkoj në Zllash. 15 ditë ka qenë parapërgatitje për hapjen e qendrës stërvitore 15 janar deri më 1 shkurt. Qendra stërvitore ka qenë në fshatin Zllash. Aty ka qenë një shkollë fillore nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Ajo është shfrytëzuar për qendër stërvitore”, ka thënë ai.

Dëshmitari Halimi ka thënë se objekti ka pasur katër klasë ku sipas tij një dhomë ka shërbyer si zyrë në të cilën ka qëndruar ai, ndërsa ka pasur edhe një objekt për përgatitjen e ushqimit për ushtarët dhe se qendra stërvitore ka qenë vartëse e Brigadës 153.

Në Zllash, dëshmitari ka thënë se kanë qenë edhe eprorë të tjerë si Rrahman Dini, Sejdi Veseli dhe Fatmir Sopi.

Halimi: Shtabi i brigadës në Zllash ka qenë 500 metra larg qendrës stërvitore

“Shtabi i brigadës ka qenë 500 metra larg qendrës stërvitore më poshtë se qendra stërvitore në fshat, në një objekt privat, në një shtëpi private, aty kanë qëndruar ata”, ka thënë Halimi.

Halimi, i cili gjatë luftës njihej si “Llapi”, ka folur për periudhën sa ka qëndruar në qendrën stërvitore në Zllash. Ndër të tjera ai ka thënë se nuk ka pasur femra në mesin e rekrutëve.

Halimi: Në Zllash çdo mëngjes është bërë ngritja e flamurit

“Është dashur të bëhet zgjimi në mëngjes, ka qenë higjiena personale dhjetë minuta, është dashur të bëhet fizkulturë e mëngjesit, të kthehen në shkollë t’i rregullojnë krevatet, higjienën personale, të përgatiten rresht për ngritjen e flamurit. Para ngritjes së flamurit është bërë një inspektim i çdo ushtari a është i qethur, i rruar, i përgatitur, nëse nuk ka qenë ka marrë dënim është dashur të bëjë atë punë, nëse ka qenë në rregull është ngritur flamuri. Ne i kemi dërguar në mëngjes për ushqim nga ora 8 ka filluar mësimi dhe jemi marrë me aktivitete ditore deri në mbrëmje. Në mbrëmje ka qenë prapë zbritja e flamurit, pushim, fjetje”, ka thënë dëshmitari.

Në prill të ‘99-së, dëshmitari ka thënë se ka shkuar në Prapashticë dhe se nga data 10 e atij muaji nuk është kthyer më në Zllash.

Halimi: Nga data 10 prill 1999 nuk jam kthyer më në Zllash

“Me sa më kujtohet më 7 prill ka filluar lufta në Prapashticë ku është edhe kufiri Kosovë Serbi. Unë kam shkuar atje. Jam përcaktuar komandant i batalionit në atë pjesë, nga brigada 153, por kam ardhur nga 7 prill deri më 10 prill prapë në mbrëmje në Zllash, në qendër stërvitore. Kurse nga data 10 më nuk jam kthyer në qendër stërvitore dhe kam qëndruar në luftë në Prapashticë dhe disa fshatra të tjera”, ka thënë ai.

Musli Halimi po vazhdon të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës të Salih Mustafës.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

Dëshmia e radhës në seancën e Mustafës

Ka filluar seanca e së mërkurës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ku po dëgjohet dëshmitari i njëmbëdhjetë i mbrojtjes, Musli Halimi.

Seanca e fundit në këtë rast, u mbajt më 13 prill, ku u dëgjua dëshmitari Shaqir Rrahimi.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat