Çun Lajçi: Fatkeqësisht, kishte shqiptarë që s’i pëlqente guximi i Rugovës, si sot i Albinit

Aktuale

Çun Lajçi: Fatkeqësisht, kishte shqiptarë që s’i pëlqente guximi i Rugovës, si sot i Albinit

Nga: M.L. Më: 21 prill 2022 Në ora: 10:28
Foto ilustrim

Aktori Çun Lajçi, mbrëmë në faqen e tij në Facebook ka publikuar një video të rrallë nga një paraqitje artistike në zyrat e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në vitet e 90-ta.

Në këtë video Lajçi reciton vargje nga veprat e Gjergj Fishtës para shumë të pranishmëve në mesin e tyre edhe presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova.

Kjo video e postuar nga Lajçi ka marr shumë reagime pozitive. Ndërsa vet aktori sot ka dhënë më shumë detaje nga dita kur është mbajtur tubimi.

Ai ka rikujtuar se kjo veprimtari atdhetare u mbajt 100 metra nga stacioni policor i Serbisë.

Ndërsa ka theksuar se kishte shqiptarë që nuk u pëlqente guximi i presidentit Rugova.

Postimi i plotë:

Nga vitët 90-ta

Ua fala nji grimë art, (në nji videoxhirim të viteve 90-ta) nga koha e vlimeve të mëdha, jo që ta ngris vetën ma naltë se ç’më takon, por ta shihni ju, që s’u besuet do burrave, se jo ma larg se 100 metra nga Stacioni Policor i Serbisë, bahej nji veprimtari e jashtzakonshme atdhetare, në nji zyrë jo ma e madhe se 5 me 5 metra.

Aty bahej art e politikë! Aty shkruhej e kumtohej! Aty tjerrej e ardhmja e këputej e kaluemja me Serbinë! Aty, n’zyrën e Dr. Rugovës, zbriste Evropa, me pa se çka po mendonte prijësi i kosovarëve! Cili ishte opsioni i tij? E sigurimi shtetnor po na përcjellte në 100 metra largësi!

Atë ditë, (si çdo të premte n’orën 10 të mëngjesit), ishte mbledhë truni kosovarë në zyrën e Lidhjës së Shkrimtarëve, sepse Avni Spahiu i kishte botua veprat e Fishtës, dhe n’kordinim me Azem Shkrelin, po i promovonin!

Mua, fatlumin, m’kishin thirrë me deklamua diçka nga “Lahuta e Malcis”.

Isha tej mase i nderuem me praninë e Ibrahim Rugovës dhe të nji politikani nga Evropa, që ishte n’krahun e djathtë të kryetarit të LDK-së. Rugovës pra!

I nderuem me pjesëmarrjen e Azem Shkrelit, Adem Gashit, Agim Vincës, Rexhep Ferrit, Bashkim Fehmiut, Sabri Hamitit, Engjëll Berishës,Qerim Ujkanit,Milazim Krasniqit,Qani Mehmetit,Nazmi Rrahmanit, Shkelzen Zhubit, Isak Shemës, Flora Brovinës,Valentina Saraçinit e sa e sa që s’po me kujtohen, unë po recitoja pa frikë, thua se isha n’Tiranë, jo n’Prishtinën e okupueme!

Por fatkeqësisht, kishte shqiptarë që s’i pëlqente guximi i Rugovës, (si sot e Albinit), dhe e përgojonin!

Në mes të deklamimit, pikërisht tek vargjet: “Veç me hi me shkrua nji letër, për shtatë krajlat, atje n’Berlin” doktor Rugova, me mikun nga Europa, kaluen në zyrën tjetër, sepse ai kishte ardhë në takim zyrtarë, dhe duhej të udhëtonte.

Por teksa ata po dilnin mua po m’vinin n’vesh do pëshpërima të mbytuna: E sheh, ai tutët! Ku flitët për luftën ai ikë! Tucan asht bre! Dhe u qeshte fytyra e tyne cinike!

I thosha vetës, pse flasin pa ditë, dhe pse se duen veprimtarin! Pse gjithë ky inat ndaj të dishmit e prijësit!

Ua thashë, se ajo ditë mu ngjanë këtyne të sotmeve me Albinin, Vjosën e Donikën: I përgojojnë çdo ditë, e çdo ditë ua çelin gropat!

Eh, po mjerimi s’na la kurrë dritë me pa!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat