Lajçak flet pas dështimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, ka një thirrje për negociatorët

Aktuale

Lajçak flet pas dështimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi, ka një thirrje për negociatorët

Më: 21 prill 2022 Në ora: 18:57
Besnik Bislimi, Petar Petkoviq dhe Miroslav Lajçak

I Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur pas dështimit të arritjes së marrëveshjes për targa.

Lajcak i ka ftuar kryenegociatorët që të takohen sërish për të arritur marrëveshje dhe për të vazhduar diskutimet për çështje tjera. Ai po ashtu ka kërkuar nga palët që të përmbahen nga veprime që mund të cënojnë sigurinë.

“Sot nuk është arritur asnjë marrëveshje për targat. I ftoj kryenegociatorët të takohen sërish në ditët në vijim për të rënë dakord mbi rrugën përpara dhe për të vazhduar diskutimet për çështje të tjera aktuale. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren”, ka thënë ai në Twitter.

Ndryshe, Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar takim trilateral me homologun serb Petar Petkoviq dhe Emisarin Miroslav Lajcak por që s’është nënshkruar asnjë marrëveshje përfundimtare për targat.

Sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, pala serbe s’ka prezantuar preferencën e saj në grupet punuese dhe s’kanë pranuar që detyra për një zgjidhje të çështjes  së targave të bartet te kryenegociatorët dhe të gjendet zgjidhje për 30 ditët e ardhshme.

“Pala serbe nuk i është përmbajtë marrëveshjes së palëve, pala jonë që në takimin e parë e ka zgjedhë preferencën e vet, pala serbe ka refuzu të përcaktojë preferencën e saj. Rrjedhimisht nuk kemi mundur të  prezantojmë një zgjidhje sot. Prapë ne me kërkesë të zotit Lajcak kemi ofru një konsension shtesë që për 30 ditë detyra nga grupi  punues të bartet te kryenegociatorët që bashkë ta gjejmë një zgjidhje por pala serbe nuk ka pranuar”, ka thënë Bislimi në një prononcim për gazetarët në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat