Hoti: Fëmijët nuk më kanë pyetur asnjëherë direkt se si është zhdukur babai i tyre

Aktuale

Hoti: Fëmijët nuk më kanë pyetur asnjëherë direkt se si është zhdukur babai i tyre

Më: 29 prill 2022 Në ora: 00:52
Fahrije Hoti

Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe rrëfen se si fëmijët e saj e kanë përjetuar humbjen e babait të tyre, i cili ende është i zhdukur edhe pse janë bërë 23 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Hoti sonte në një intervistë për emisionin “Info Nata” ka thënë se fëmijët e saj e kanë dëgjuar nëpër media historinë se si nëna e tyre e ka përjetuar luftën,  se si është zhdukur babai i tyre dhe sipas saj ata e kuptojnë dhe e dinë të gjithë historinë mirëpo nuk e kanë pyetur asnjëherë drejtpërdrejt atë.

“Në atë kohë fëmijët kanë qenë shumë të vegjël, vajza 3 vjeçe dhe djali 3 muajsh, ka qenë e vështirë sepse … këta fëmijë janë rritur pa baba, deri sa kanë filluar ta kuptojnë ata që nuk ekziston babai i tyre, atëherë gjithmonë duke folur, ju kam treguar se ka qenë luftë, janë vrarë njerëzit, që janë zhdukur njerëzit e në mesin e tyre edhe babai juaj ka qenë këtu dhe është vrarë, është kthyer nga Gjermania, 1 vit kohë ka pasur dhe është i zhdukur fatkeqësisht. Tash fëmijët me kohë e kuptojnë sepse tash ata janë rritur. Fëmijët nuk më pyesin shumë por unë jam një tip që flas gjithmonë para opinionit, para mediave dhe ata çdo rrëfim nëpër televizione apo nëpër shtyp  fëmijët e mi e dëgjojnë dhe e dinë komplet historinë se si e kam përjetuar luftën, se si është zhdukur burri, si e kam pasur një jetë me burrin para luftës, fëmijët e mi e kuptojnë edhe pse nuk më kanë pyetur asnjëherë direkt”, tha Hoti.

E pyetur se si është reagimi i fëmijëve tash në moshën madhore të tyre, ajo tha se “Normal është gjithmonë ajo pjesë që mungon njëri prind, por fëmijët nuk flasin. Ne kemi 26 marsin ditën që i përkujtojmë njerëzit që janë vrarë, por fatkeqësisht unë dhe fëmijët e mi nuk kemi adresë e edhe fëmijët e tjerë të Krushës, një numër i caktuar. Kjo është dhimbje edhe për fëmijët, por ata nuk e shpalosin. Ndoshta mundohen të më mbrojnë mua sepse ju vie keq nga unë dhe nuk flasin”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat