Memli Krasniqi flet për një vjetorin e tij në krye të partisë: Misioni im, rikthimi i PDK-së në qeverisje

Aktuale

Memli Krasniqi flet për një vjetorin e tij në krye të partisë: Misioni im, rikthimi i PDK-së në qeverisje

Më: 3 korrik 2022 Në ora: 18:40
Memli Krasniqi

Memli Krasniqi përmes një statusi në Facebook ka përmbledhur punën e tij 1-vjeçare si kryetar i PDK-së, prej kur e mori më 3 korrik të vitit të kaluar.

Ai thotë se gjatë këtij viti në krye të PDK-së, kanë punuar shumë bashkë me secilin anëtar e aktivist, përbrenda çdo niveli të organizimit, që gjithandej Kosovës ta shtrijnë përsëri vizionin e tyre – për Kosovën e qytetarëve, të zhvilluar, të integruar e me perspektivë për të gjithë.

Krasniqi thotë se misioni i tij si Kryetar është ringritja, fuqizimi dhe rikthimi i PDK-së në qeverisje, si parti e fitoreve, për zhvillimin e vendit tonë,

Më 3 korrik të vitit 2021, saktësisht 1 vit më parë, mora besimin e delegatëve të Konventës së Dhjetë për të udhëhequr Partinë Demokratike të Kosovës.

Si një anëtar e aktivist i hershëm i partisë, pa dyshim që ky ishte nderi më i madh i jetës dhe, natyrisht, përgjegjësia më e lartë.

Gjatë këtij viti në krye të PDK-së, kemi punuar shumë bashkë me secilin anëtar e aktivist, përbrenda çdo niveli të organizimit, që gjithandej Kosovës ta shtrijmë përsëri vizionin tonë – për Kosovën e qytetarëve, të zhvilluar, të integruar e me perspektivë për të gjithë.

E nisëm me fitoren në zgjedhjet lokale, duke fituar në 8 komuna e duke dalë partia e parë ne 10 komuna. Rikthyem besimin qytetar në Prizren, Mitrovicë, Skënderaj, Vushtrri e Han të Elezit dhe e rinkonfirmuam atë në Ferizaj, Drenas e Kaçanik.

Në Kuvendin e Kosovës, si lidere e opozitës, PDK ishte zëri i arsyes, përmes angazhimit parlamentar aktiv, duke ngritur e mbrojtur çështje e kauza konkrete, në dobi të qytetarëve dhe të kategorive shoqërore të injoruara nga pushteti aktual.

Si një platformë e ofrimit të alternativës qeverisëse, inicuam Kabinetin për Qeverisje të Mirë. Ekspertë të fushave të ndryshme po i bashkohen kësaj platforme tonë për një Kosovë më të mirë, me qeverisje kompetente e efikase.

Kemi hapur dyert për më shumë gra, të rinj dhe profesionistë, të cilët angazhimin e tyre në të mirë të shoqërisë dhe vendit e shohin përmes politikës. Sot, jam shumë krenar të them se janë me qindra prej tyre që na janë bashkuar gjatë kësaj periudhe, e shumë të tjerë do të na bashkohen në vazhdimin e këtij rrugëtimi të përbashkët.

Puna dhe angazhimi ynë do të vazhdojë në çdo nivel të organizimit tonë strukturor, në Kuvend, në Komuna e në Kabinetin për Qeverisje të Mirë.

Misioni im si Kryetar është ringritja, fuqizimi dhe rikthimi i PDK-së në qeverisje, si parti e fitoreve, për zhvillimin e vendit tonë.

Faleminderit të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së për mbështetjen e parezervë deri sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat