Konjufca para Gjykatës për gazin lotsjellës: Jam i pafajshëm, s’kam përdorur kurrfarë arme dhe s’i kam bërë dëm askujt

Aktuale

Konjufca para Gjykatës për gazin lotsjellës: Jam i pafajshëm, s’kam përdorur kurrfarë arme dhe s’i kam bërë dëm askujt

Më: 8 korrik 2022 Në ora: 14:35
Glauk Konjufca

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili po akuzohet se në gusht të 2016-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tha se veprimi ka qenë politik dhe se pretendon që nuk ka përdorur kurrfarë arme, nuk i ka bërë dëm askujt dhe se s’kishte qëllim të tillë.

“Mbetem pranë asaj që kam thënë në shqyrtim fillestar, unë jam i pafajshëm, ky veprim ka qenë i natyrës politike. Pretendoj që nuk kam përdorur kurrfarë arme, deklaroj që jo vetëm nuk i kam bërë dëm askujt, po as s’kam pas qëllim të tillë”, tha Konjufca gjatë fjalës hyrëse.

I njëjti shtoi se lidhur me veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nuk ka qenë pengesë serioze, ngase mbledhja u mbajt 30 minuta pasi e kishte bërë atë veprim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ajo që më mvesheshet për pengim të personit, nuk ka qenë ndonjë pengesë fort serioze, meqenëse ajo mbledhje u mbajt 30 minuta pasi që e kam bërë atë veprim, kështu që ka qenë një shtyrje veç 30 minuta e mbledhjes se kryesisë së Kuvendit, prandaj nga gjithë këto që i thashë nuk më duket se është vepër penale serioze”, deklaroi Konjufca.

Në seancë mungoi Adem Grabovci dhe Ismet Beqiri. Gjykatësja e rastit Edita Çanta konstatoi se për dëshmitarin Grabovci gjykata nuk ka prova nëse i njëjti e ka pranuar ftesën.

Ndërsa, sa i përket dëshmitarit Beqiri, gjykatësja konstatoi se nga fletëkthesa e kthyer ka rezultuar se adresa nuk është e saktë, pasi që i njëjti ka ndërruar vendbanim.

Ndaj tij, gjykata do lëshojë urdhëresë për verifikim adrese për seancën e radhës.

Pasi që i akuzuari Konjufca nuk ka parashtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës, gjykatësja Çanta kërkoi të vazhdohet me fjalët hyrëse të palëve .

Prokurorja Rukije Shashivari, në fjalën hyrëse deklaroi se i pandehuri Konjufva ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë sipas aktakuzës.

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet kjo në bazë të dëgjimit të dëshmitarëve Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Slobodan Petroviq”, tha prokurorja.

Meqenëse nuk ishin prezent dëshmitarët, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës u caktua më 22 korrik 2022.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat