Skandali i Borellit – Zbulon fytyrën antiNATO / Spanjolli e merr në mbrojtje Serbinë, pengon planet euroatlantike!

Aktuale

Skandali i Borellit – Zbulon fytyrën antiNATO / Spanjolli e merr në mbrojtje Serbinë, pengon planet euroatlantike!

Nga: Idriz Morina Më: 18 gusht 2022 Në ora: 15:22

Josip Borell është treguar skandaloz sot! Ai thjesht tregoi se mban hapur anën e Serbisë.

Ju kundërshtarët mund të thoni se nuk është ashtu, sepse atë e zemëroi presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiqi, kur në fillim të takimit, trepalësh, Kosovë-BE-Serbi, lideri serb, bëri se refuzoi t’ia jepte dorën Borellit, që sipas fotove, ashtu ndodhi.

Por, duhet parë nëse ky gjest ishte i parapërgatitur nga komunikimi i shërbimit inteligjent serb me ndonjë shërbim, që e kontrollon Borellin, sigurisht miqësor me Serbinë.

Së pari të shqyrtojmë se çfarë ndodhi në konferencën me media, ku u paraqit Josip Borell me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.

Image
Loja gjesteve Borell-Vuçiq në fillim të takimit

Gracka e Borellit

Albin Kurti, nuk duhet të binte në grackën e Borellit dhe t’i përgjigjej si një student atij.

Borell, dhe as BE-ja, madje nuk e njohin shtetin e Kosovës. Përveç kësaj damke që e mbart BE-ja, meqë e bën në kompromis të detyruar me pesë shtetet që nuk e njohin Pavarësinë tonë, nuk kanë sot asnjë lloj pushteti mbi Kosovës.

Prandaj, në kuptimin administrativ apo të ndonjë varësie tjetër, Kurti se kishte asnjë obligim, t’i përgjigje Borellit! Por, as në kohën e administrimit nga UNMIK-u, nuk do të duhej të ndodhte.

Borelli, përveç se i bëri disa pyetje publike Kurtit, si ta kishte studentë, ai e bëri këtë si pjesë të një stratagjeme të ndërtuar më parë, për ta përçmuar Kurtin, se nuk është një burrështetas dhe për të goditur NATO-n.

Në pyetjen e tij, dhe më pas vetë përgjigjen e dhënë nga Borell, ai e kishte planifikuar ta komprometonte NATO-n, dhe marrëveshjet NATO-Kosovë, përkatësisht Stoltenberg-Kurti!

Albin Kurti do të duhej publikisht ta shmangte përgjigjen duke i thënë p.sh, se ishin biseda miqësore, dhe se për përmbajtjen e tyre ishte kujdesur NATO-ja, dhe që besoj ta kenë bërë publik komunikimin e tyre!

Por, duke dashur të jetë i sinqertë, ai konfirmoi pak a shumë atë që tha Borell. Pavarësisht që mesazhet ishin publike, Kurti do të duhej të përpiqej ta shmangte, që mos ta bënte atë bashkëpërgjegjës në manovrimin e Borellit. Sigurisht se Kurti nuk ishte dëshmitarë, i bisedës Borell-Stoltenberg!

Në mbështetje të lojës ruse

Kurti, madje mund të thoshte se ai po kërkon ndihmë nga misionet që janë në Kosovë, se nuk ka asgjë të re, sepse NATO-ja është garantuese e lirisë, paqes dhe kufijve të Kosovës. Ndërsa, shqetësimi vjen jo vetëm nga deklaratat luftënxitëse të Beogradit, por edhe nga lëvizjet e fundit, sikurse tendenca për një konflikt, e mobilizimit të serbëve në veri me urdhër të Beogradit. Dhe se kjo tendencë e përhershme duhet të marrë fund, dhe se është plotësisht e dënueshme. Kosova nuk mund të tolerojë më grupe, kriminale, sisteme zhvatje, trafiqe e të tjera, për interes të Beogradit!

Dialogu i udhëhequr nga Borell ishte tërësisht në funksion, që ai t’i jepte leksion NATO-s, se ajo nuk mund të vendoste asgjë, sepse kontrollin po e bënte BE-ja!

Borrell: Ai ishte gati të dërgonte më shumë trupa nëse ishte e nevojshme?, ishte pyetja lakonike e Borellit, ndërsa Albini ra në grackë, edhe pse u mundua ta shmangte, duke thënë, po nëse ishte e nevojshme.

Më pas, Borelli, pasi e çoi përgjigjen e Kurtit, aty ku ai dëshironte të dilte, i tha: “Ndërhyrja nuk do të jetë e nevojshme”.

Pra, Borelli po del të jetë një aktor mbi NATO-n, dhe unë druaj, se kjo përgjigje më shume se sa NATO-s, i dedikohej Amerikës!

Kjo lë të kuptohet po ashtu, se ekziston një skenar tjetër apo një gatishmëri për një përgjigje tjetër, që Serbinë do ta detyronte të bënte, atë që ajo duhet ta bëjë, njohjen e Kosovës, tash apo sa më parë!

Po ashtu në këtë kontekst vjen në ndihmë fakti, se BE-ja, po mban anën e Serbisë, pasi ajo nuk ka bërë dhe nuk bën thuaja asgjë që pesë vendet tjera ta njohin Kosovën.

Lidhur me këtë ish-ministri britanik për Evropën, Denis MacShane, e fajëson BE-në, duke theksuar se po ky organizim, do të mund ta zgjidhte menjëherë çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, ‘nëse pesë shtetet e BE-së do ta njihnin pavarësinë e Kosovës’. Po ashtu ai e afirmion qëndrimin e thënë edhe nga liderët në Kosovë se Putini i merr vendimet për Vuçiqin.

“Është gabim të mendosh se BE-ja ka ndikim mbi çështjen Kosovë-Serbi. Putin vendos se çfarë do të bëjë Vuçiq. BE-ja mund ta zgjidhë nesër nëse Spanja, Greqia, Sllovakia etj., do ta njohin Kosovën. Kjo do të ishte ndryshimi i lojës. Nëse jo nga këtu në përjetësi”, ka shkruar MacShane.

Pra, në bazë të mesazhit të tij, rezulton, se ato figura dhe forca që po e mbështesin Vuçiqin, e kontrolluar nga Putini, janë në mbështetje të lojës ruse.

T’i kthehemi edhe njëherë dyshimit të ngritur për përshëndetjen Borell-Vuçiq apo ‘injorimin’ që iu bë shefit të diplomacisë së BE-së.

Image
Kryeministri Kurti dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, dje në Bruksel

Nëse reagim i Borellit në dialogun me Kurtin do të kishte qenë normal, pra, jo ashtu si u prezantua, kundërshtarët e dyshimit të ngritur nga unë mund të kishin të drejtë. Por, meqë Borell doli hapur në mbrojtje të Serbisë, që ajo të mos pësojë rishtaz nga një përplasje me NATO-n, fundi i së cilës dihet!

Sipas raportimeve të mediave, i pari që hyri në takim ishte kryeministri Kurti, ndërsa pas tij hyri Vuçiqi, i cili në shumë prej fotove të takimit rrinte kinse i hidhëruar, që e bënte fytyrën të dukej i tendosur, dhe se sikur mbante inat me Borellin, të cilit nuk ia zgjati formalisht dorën, duke ia lënë të ngritur Borellit, dhe po ashtu në foto tjera e mban kokën të kthyer në anën tjetër.

Pra, një lojë gjestikulimesh, ku pas tyre fshihen oguret e zeza ndaj Kosovës!

Biseda publike:

Borrell: Dje keni takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, kam lexuar për të nga gazetat.

Kurti: Po, kam qenë një takim shumë i mirë.

Borrell: A ishte takim i mirë?

Kurti: Po.

Borrell: Ai ishte gati të dërgonte më shumë trupa nëse ishte e nevojshme?

Kurti: Epo nëse është e nevojshme po.

Borrell: Ndërhyrja nuk do të jetë e nevojshme.

Kurti: Edhe unë shpresoj kështu.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat