Kosova ta ndryshojë qasjen për bisedime / Në fillim njohja nga Serbia, pastaj marrëveshjet!

Aktuale

Kosova ta ndryshojë qasjen për bisedime / Në fillim njohja nga Serbia, pastaj marrëveshjet!

Nga: Idriz Morina Më: 4 tetor 2022 Në ora: 16:39
Albin Kurti dhe përfaqësuesit e BE-së, Lajçak e Borrell, dhe Vuçiqi

Në bisedime me Serbinë Kosova nuk ka më nevojë të shkojë me oferta të reja, madje duhet ta ndryshojë qasjen edhe ndaj opsioneve aktuale.

E vetmja kërkesë që duhet të mbizotërojë është që Serbia ta njohë Kosovën, dhe pastaj si dy shtete me fqinjësi të normalizuar të bisedojnë për çështjet që janë ngritur dhe konsiderohen se duan zgjidhje.

Qasja e mëparshme ka qenë e gabuar që njohja të ishte në fund, por edhe tashmë që është rishikuar si koncept duke e kthyer në qendër, duket e rikonceptuar pas zhvillimeve të rrezikshme, Ukrainë-Rusi, përkatësisht të lëvizjes së kartave të rrezikshme ruse, deri në kërcënimin me armë bërthamore, në emër të mbrojtjes së katër “referendumeve” false dhe mashtruese, se qytetarët e atyre vendeve votuan bashkimin me Rusinë putiniste.

Raste të pakrahasueshme

Duke e pasur një regjim në Rusi, një lider si Putini, edhe sikur të mos kishte pasur luftë në ato rajone, rezultatet nuk do të ishin të besueshme, lëre më, që ato janë mbajtur nën kërcënimin e bombardimeve, tankeve dhe lloj-lloj armësh të tjera.

Prandaj, si të tilla bota demokratike, madje edhe ato me demokraci të pazhvilluar, e dënuan mbajtjen e atyre referendumeve, duke mos ua njohur rezultatin.

Shqiptarët e dinë më së miri se çfarë do të thotë të mbahen votime nën atë presion, tankesh, armësh dhe të tjera mënyra të dhunimit të të drejtave etnike dhe civile, që padrejtësisht gjeniu i teknologjisë Elon Musk, i krahason.

Serbia vazhdonte të mbante zgjedhje në Kosovë, në kohën e okupimit, por shqiptarët nuk i përgjigjeshin, me një përjashtim shumë të vogël, që nuk përbënte as 1 apo 2% të popullsisë shqiptare. Rezultatin e atyre zgjedhjeve e rregullonte aparati i Millosheviçit, sipas nevojave për numrin e deputetëve në Parlamentin e Serbisë.

Por, shqiptarët kishin ndërtuar institucionet e tyre paralele, shtetin paralel, dhe kanë mbajtur zgjedhjet për referendum në shtatorin e vitit 1991 dhe në maj të vitit 1992, zgjedhjet nacionale për Kuvend dhe zgjedhjet për president të shtetit. Pjesëmarrja e shqiptarëve me të drejt vote në ato zgjedhje ishte rreth 98%! Pra, rezultatet ishin absolute në kundërshtim të plotë, me ato në zgjedhje që mund të pretendonte Serbia për votues shqiptarë.

Pra, si dallim qenësor konceptual, situatash është se shqiptarët e robëruar ishin ata, që e organizuan referendumin në vitin 1991, dhe jo Serbia okupatore.

Në Ukrainë referendumin nuk e organizuan ukrainasit-qytetarët e lirë, por ai u bë me vendim dhe urdhra të Rusisë, të një organizimi vasal të Rusisë, dhe nën mbikëqyrjen e forcave të saj okupuese, në kushte ku liria e shprehjes dhe mendimit të lirë, nuk ekziston.

Prandaj, Elon Musk dhe të tjerë, rus apo serb, kushdoqofshin ata nuk mund t’i referohen as në këtë rast ndonjë ngjashmërie me referendumet e Ukrainës.

Sa i përket aspektit historik, po ashtu është tjetër histori, Kosova ishte pjesë e Federatës Jugosllave, dhe jo e Serbisë, pavarësisht ekzistimit të një lidhje, në disa çështje. Katër rajonet nuk ishin pjesë e Republikave të Bashkimit Sovjetik, por gjithnjë në varësi të Ukrainës, pa ndonjë status të dallueshëm substancial të autonomisë.

Kosova qe okupuar nga Serbia, si rezultat i luftërave shkatërruese në Ballkan, pra jo pse fitoi Serbia, por sepse humbi boshti qendrës (apo forcat e Qendrës, Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia) dhe fitoi Antanta, Britania e Madhe, Franca dhe Rusia, krah në të cilin ndodhej Beogradi.

Që nga atëherë, mund të thuhet se Kosova u okupua, por as kjo kohë nuk vazhdoi pa fund. Në vitin 1941 deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët u përkrahën ta krijojnë një lloj Shqipëri etnike, dhe krijuan edhe qeveri, që kishte nën administrim Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë. Pra, për së paku 4 vite, sundimi serbo-jugosllav qe ndërprerë, ndërsa nga nëntori i vitit 1944 e deri në vitin 1968, kur Kosova e fitoi një status autonom të kufizuar, ka përjetuar gjenocidet më tronditëse dhe masakrat me krimet më të rënda kundër njerëzimit, si masakra e Gjilanit, Tivarit etj., dhe dëbimin e rreth një të tretës së shqiptarëve nga ish-Jugosllavia, për në Turqi.

Më 1974 e fiton autonominë në shkallë të gjerë, dhe Kosova bëhet element konstitutiv i Jugosllavisë komuniste.

Bazuar në kushtet e asaj autonomie të gjitha republikat që ishin pjesë konstituive e asaj federate, e shpallën pavarësinë e tyre.

Në mars të vitit 1989, Millosheviçi duke përdorur tërë aparatin e dhunës, ia suprimoi autonominë Kosovës. Në vitin 1999, pas një dekadë përpjekjesh politike dhe me luftë, ndërhyri NATO-ja, duke i dhënë fund gjenocidit dhe etnocidit serb, më se 70 vjeçar.

Pra, Kosova dhe shqiptarët i qenë nënshtruar një shtypje të egër dhe gjenocidale, ndërsa në katër rajonet ukrainase nuk ka ndodhur asgjë e atillë.

Kosova u administrua ndërkohë nga OKB-ja, dhe pas gati 10 vitesh, Institucionet e Pavarura Vetëqeverisëse të Kosovës, e shpallën vendin shtet të pavarur dhe sovran. Pas dy vitesh, më 2010, GJND-ja e dha verdiktin e saj, se Shpallja kishte ndodhur pa e shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Rreziqet e shtuara

Në ndërkohë, Perëndimi është në akthin e rrezikut të sulmeve bërthamore në Ukrainë apo edhe jashtë saj, varësisht se çfarë i thotë ‘çmenduria’ Putinit.

Në këtë kontekst, pra të një rreziku të përshkallëzimit të luftës në Ukrainë, Kosova nuk ka nevojë të bëjë asnjë lëshim, dhe të vazhdojë me detyrimet e saj ndërkombëtare, ashtu siç janë dhe në fazën në të cilën ndodhen të kërkojë vetëm integrim në Këshillin e Evropës, të hyjë në partneritet me NATO-n, dhe afrim me institucione dhe shtete, që rrisin sigurinë, mbrojtjen dhe zhvillimin e Kosovës.

Kosova duhet t’i kthehet mendimit shqiptar, i shprehur që nga shekulli i 19-të, nga figura të shquara të Rilindjes Kombëtare dhe në vazhdimësi, e deri në ditët e sotme.

Shqiptarët edhe të fikur me territor, popull, ekonomi, viktima të gjenocideve 150 vjeçare e më shumë, dhe sërish i kanë ofruar botës kompromiset më të dhimbshme.

Këtë ndryshim, po e kërkojnë edhe diplomat të shquar amerikan, si ambasadorja Jennifer Brush, e cila në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka thënë se “veprimi më i mirë për Serbinë do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës”.

“Pra, është 100 për qind në interesin më të mirë të Serbisë që ta kapërcejë këtë pengesë. Nuk do t'i futë ata automatikisht në BE, por do të lehtësojë shumë tensionet në rajon dhe do të ndihmojë që i gjithë rajoni të ecë përpara”, ka thënë zonja Brush, e cila kërkon në vend të zvarritjes së procesit të bisedimeve, ku janë arritur disa marrëveshje, dhe shumë pak prej tyre janë zbatuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat