Detaje rreth shpërthimeve që ndodhën sonte në veri

Aktuale

Detaje rreth shpërthimeve që ndodhën sonte në veri

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 23:49
Emir Azemi

Sonte rreth orës 21 në veri të Mitrovicës janë dëgjuar dy shpërthime, një në lagjen e Boshnjakëve dhe  një në Kodrën e Minatorëve.

Ish-asambleisti Emir Azemi, në një intervistë, ka dhënë detaje rreth shpërthimeve që ndodhën sonte në këtë pjesë të vendit.

“Ka qenë një shpërthim i madh rreth orës 21 nga një automjet që ka qenë në lëvizje e ka hedhur këtë mjet te ajo veturë, të cilën në pjesën e përparme edhe e ka dëmtuar”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, ky shpërthim ishte për të nxitur tensione apo panik në mesin e banorëve.

“Në bazë të asaj që kam arritur ta kuptoj nuk bëhet fjalë për bombë, as për granatë dore, por shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm. Meqë isha në shtëpi 100 metra larg e kam dëgjuar eksplodimin, nuk kam qenë dëshmitar okular, por në bazë të dëshmitarëve bëhet fjalë për një automjet në lëvizje që e ka hedhur mjetin e pastaj ka vazhduar kah pjesa veriore”, ka shtuar ai.

Ai bëri të ditur se shumë banorë po qëndronin jashtë, në vendin ku ndodhi shpërthimi.

“Ka ndodhur një detonim shumë i madh, ku edhe pas dy orësh banorët vazhdojnë të qëndrojnë ende këtu si pasojë e frikës , ato shpërthime e kanë ngritur tensionin në mesin e qytetarëve”, ka thënë ai.

Ai u bëri apel qytetarëve që ta ruajnë gjakftohtësinë, derisa tregoi që edhe policia ka qenë në vendngjarje ku edhe ka marrë masat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat