Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rendit tri parime që shmangin rreziqet lidhur me Asociacionin

Aktuale

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rendit tri parime që shmangin rreziqet lidhur me Asociacionin

Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 20:09
Foto ilustrim

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbi marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASh) ka deklaruar se burimi i problemeve dhe tensioneve në marrëdhëniet në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë është fakti se Serbia mban një qëndrim armiqësor dhe agresiv ndaj Kosovës dhe popullit të saj.

Sipas këtij këshilli, angazhimi aktiv dhe parimor i BE-së dhe ShBA-së është i domosdoshëm për të përmbyllur me sukses procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Për sa i përket marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, KASh sjell në vëmendje se themelimi i kësaj bashkësie ka mbetur çështje e hapur nga viti 2015 dhe kjo ka ndodhur për shkak të druajtjes së arsyeshme në Prishtinë se ai entitet mund të shndërrohet në instrument të Serbisë për të minuar sovranitetin shtetëror dhe funksionalitetin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij këshilli, për të shmangur një rrezik të tillë, çdo veprim apo proces eventual lidhur me krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë duhet të ketë për bazë tri parime themelore:

– Së pari, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet të cënojë parimet themeltare kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është sovraniteti, epërsia e kushtetutës dhe karakteri unitar i Republikës së Kosovës.

– Së dyti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk mund të jetë strukturë një entike dhe as pushtet i ndërmjetëm në mes të nivelit qendror dhe komunave të caktuara.

– Së treti, Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të trajtohet e shkëputur nga marrëveshja përfundimtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy vende sovrane dhe të pavarura që e njohin njëra tjetrën si të tilla.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh bindjen se Republika e Kosovës, si gjithmonë, do të sillet si shtet i përgjegjshëm, që ruan interesat shtetërore dhe aleancat strategjike, i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe integrime Euro-Atlantike.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë dhe të ofrojë mbështetje pa rezervë ndaj Republikës së Kosovës dhe i bën thirrje institucioneve të Republikës së Shqipërisë që të mos qëndrojnë pasive dhe indiferente ndaj proceseve historike nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës dhe populli i saj dhe që kanë ndikim afatgjatë në paqen, sigurinë dhe zhvillimet në të gjithë rajonin tonë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat